Me rastin e shënimit të 75 vjetorit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, presidenti serb , Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij, deklaroi se Serbia është "plotësisht e përkushtuar për të gjetur një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës".
Takimi i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, po mbahet online për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Vuçiq gjithashtu tha se "vendimi i njëanshëm i Prishtinës për të shpallur pavarësinë ka rrezikuar seriozisht sigurinë e Serbisë dhe të gjithë rajonit".
Presidenti serb në vazhdimësi gjatë viteve të fundit ka folur për një zgjidhje kompromisi për Kosovën mirëpo pa dhënë detaje se çfarë parasheh ajo.
Më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ekonomike. Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.
Ndërkohë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian është ripërtërirë më 16 korrik. Kryeministri Hoti, dhe presidenti Vuçiq, janë takuar për herë të dytë më 7 shtator.
Me këtë rast, sipas deklaratave të të dyja palëve, janë hapur temat për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, për pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore, ndërkaq janë harmonizuar qëndrimet lidhur me çështjen e të pagjeturve, personave të zhvendosur, si dhe për bashkëpunimin ekonomik.