Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk janë duke e marrë shumë seriozisht pandeminë e koronavirusit, si dhe ka kërkuar nga secili që të marrë përgjegjësi personale për të luftuar pandeminë.
"E kuptoj plotësisht pse bizneset duan të mbesin të hapura, pasi që edhe sikur të isha vetë pronar i një restoranti do të doja të ishte i hapur dhe të mund të ushqeja familjen time dhe të siguroja punë për punëtorët e mi. Nuk po e kritikoj këtë, por do të kërkoja nga secili që të marrë përgjegjësi personale për të luftuar pandeminë", ka thënë Kosnett në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka folur edhe për shembujt kur qytetarët e Kosovës nuk respektojnë masat kundër pandemisë.
"Duhet të them se unë eci nëpër rrugë, njerëzit nuk po i mbajnë maskat ose nuk po i mbajnë si duhet. Njerëzit nuk po i lajnë duart aq shumë. Mendoj se është e rëndësishme që njerëzit t’i marrin këto masa, që nuk kushtojnë shumë para, në mënyrë që të mbrojnë veten dhe anëtarët e familjeve të tyre. Kur kaloj afër kafiterive, shoh plot të rinj, që kryesisht janë meshkuj, nga familje e grupe të ndryshme, që rrinë ulur, duke u qeshur me njëri-tjetrin, gjysmë metër larg njëri-tjetrit dhe pastaj kthehen në shtëpitë ku jetojnë me të afërm më të moshuar. Nuk ka nevojë që kjo të ndodhë", ka thënë Kosnett.
Sipas tij, luftimi i pandemisë nuk është punë vetëm për qeverinë, derisa ka lavdëruar mjekët, stafin tjetër shëndetësor, policinë, të cilët sipas tij, po bëjnë punë të shkëlqyeshme, duke u përpjekur që ta mbajnë vendin e sigurt.
Ambasadori amerikan ka thënë se SHBA-ja e ka ndihmuar në masë të madhe Kosovën për luftimin e pandemisë.
"Ne kemi ofruar aparatura, mjete, ventilatorë që janë drejtuar për në Kosovë nga presidenti Trump. Ne kemi ofruar po ashtu teste, pajisje higjienike, por po ashtu edhe kemi shkëmbyer shumë ide me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me zyrtarë të tjerë", ka thënë Kosnett.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë paraqitur në muajin mars.
Deri më tani, numri i të infektuarve ka arritur në 15.142, prej të cilëve 12.674 janë shëruar, ndërsa 615 kanë vdekur.