Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka nisur letër Ekaterina Trendafilovas, kryetares së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, rreth kërkesës së bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për bërjen e ndryshimeve kushtetuese lidhur me mandatin e këtyre Dhomave që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale.
Në këtë letër, që ka siguruar Radio Evropa e Lirë, Osmani ka kërkuar shqyrtim paraprak se ndryshimet e propozuara nuk zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës mbi të drejtat dhe liritë themelore.
Sipas nenit 144 të Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Votimi bëhet pasi që kryetarja e Kuvendit t’i adresohet Kushtetueses për të vlerësuar paraprakisht ndryshimet e propozuara.
Më 25 gusht, presidenti Thaçi i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare. Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Në letrën dërguar Trendafilovas, Osmani ka thënë:
“Do t’ju isha mirënjohëse nëse ndryshimet e propozuara do t’i dërgoheshin te Dhomat e Specializuara të Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për shqyrtim paraprak se ndryshimet e propozuara nuk zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të kushtetutës”.
Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni skadon në gusht të këtij viti. Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës, gjë që konfirmohet edhe në vetë këtë gjykatë.
Sipas amendamentit ekzistues të Kushtetutёs lidhur me Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar, një Dhomë e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë, vendos ekskluzivisht mbi referimet kushtetuese në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me ligjin e veçantë.
Nëse ky propozim arrin te deputetët, ai duhet të miratohet me dy të tretat e votave në kuvend, apo 80 vota.
Në Gjykatën Speciale në Hagë nuk kanë dashur të komentojnë veprimin e presidentit lidhur me vazhdimin e mandatit të gjykatës.
Mirëpo, në fund të vitit të kaluar, në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me atë se a do të duhet që institucionet e Kosovës të vendosin për vazhdimin e mandatit të gjykatës, zyrtarët në Hagë kanë thënë se “për vazhdimin e mandatit, nuk janë të nevojshme formalitetet ose veprimet specifike”.
Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kundër të cilit tashmë është paraqitur një aktakuzë për shqyrtim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit pranë kësaj gjykate, në fund të gushtit ka thënë se shpreson se deputetët do ta mbështesin këtë kërkesë. Sipas tij, “mbështetja e drejtësisë për të bërë drejtësi e nderon Kuvendin e Kosovës, dhe rrit përgjegjësinë e shtetit të Kosovës”.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.