Ndërlidhjet

Kosova dhe Maqedonia e V. zotohen se do t’i hapin kufijtë pa kushte


Kufiri Kosovë - Maqedoni e Veriut
Kufiri Kosovë - Maqedoni e Veriut

Maqedonia e Veriut dhe Kosova duhet sa më parë t'i heqin testet për koronavirus, të njohura si PCR, dhe të mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, thanë të mërkurën në Shkup zëvendëskryeministrat e dy vendeve, Artan Grubi dhe Besnik Tahiri.

“Kufijtë tanë duhet të liberalizohen dhe këtu mund të merret si shembull kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë, që është i hapur dhe ka lëvizje të jashtëzakonshme mes dy vendeve, në veçanti gjatë sezonit turistik, dhe transmetimi i sëmundjes COVID-19 mes dy vendeve ka qenë minimal. Ky shembull duhet të na shërbejë edhe neve për t’i liberalizuar kufijtë jo vetëm me fqinjin tonë - Kosovën, por edhe me fqinjët tanë përreth”, tha zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, pas takimit me homologun e tij kosovar, Besnik Tahiri.

“Për neve është e palogjikshme që të kemi një sistem të testimit dypalësh, përderisa lëvizja me Shqipërinë është e hapur, lëvizja mes dy vendeve ka qenë shumë e madhe. Duhet parë të gjitha mundësitë e lehtësimit edhe me Maqedoninë e Veriut - normalisht duke ruajtur shëndetin publik, duke ruajtur njëri-tjetrin - dhe të lehtësojmë lëvizjen e qytetarëve”, tha Tahiri.

Gjatë kësaj jave u paralajmërua mbajtja e një video-konference mes ministrave të Shëndetësisë të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, për miratimin e një protokolli për lehtësimin e lëvizjes mes vendeve të tyre.

Të hënën, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore u bënë thirrje qeverive të të dyja vendeve që t’i heqin pengesat në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, respektivisht testet PCR.

Sipas tyre, mbyllja e kufijve u ka shkaktuar dëme të mëdha bizneseve të dy vendeve.

“Duke marrë parasysh lidhjen dhe afërsinë tokësore të Kosovës me Maqedoninë e Veriut, PCR testi negativ i obligueshëm, i vendosur për hyrje në të dyja shtetet, paraqet një pengesë shtesë, si për personat fizikë, ashtu edhe për bizneset, sepse, së pari, goditet ekonomia, e cila pëson humbje të mëdha nga ky vendim”, u tha në komunikatën e dy odave ekonomike.

Në takimin e dy zëvendëskryeministrave në Shkup u bisedua edhe për autostradën Shkup-Prishtinë, respektivisht ngecjen e punimeve në pjesën e Maqedonisë së Veriut.

“Segmenti Shkup-Bllacë për neve është shumë i rëndësishëm. Ne e kemi kryer rrugën tonë, në pjesën tonë. Mendoj se ky segment do t’i lidhë edhe më fuqishëm dy vendet tona, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke e forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe lëvizjen e njerëzve”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG