Ndërlidhjet

Serbia zgjeron bashkëpunimin me Huawein pavarësisht marrëveshjes së Uashingtonit 


Qendra për Zhvillim dhe Inovacion e Huaweit në Beograd.
Qendra për Zhvillim dhe Inovacion e Huaweit në Beograd.

Serbia e ka intensifikuar bashkëpunumin me kompaninë kineze të teknologjisë Huawei, përmes hapjes së Qendrës për Zhvillim dhe Inovacion në Beograd më 14 shtator.

Hapja e saj, ndodhi dhjetë ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington, nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në bazë të së cilës, ndalohet përdorimi i rrjetit 5G, i siguruar nga shitës jo të besueshëm.

Edhe pse Huawei nuk përmendet në marrëveshje, është pikërisht kjo kompani kineze që gjenden nën vëzhgimin e Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni po i nxit aleatët e vet që të shmangin këtë kompani, pasi zyrtarët amerikanë besojnë se Qeveria kineze mund të përdorë teknologjinë e saj për të spiunuar vendet perëndimore.

"Marrëveshja nuk e ka dekurajuar shumë Serbinë nga bashkëpunimi i vazhdueshëm me Huawein", i tha Radios Evropa e Lirë, Stefan Vlladisavljev, një bashkëpunëtor në programin e Fondit të Beogradit për Përsosmëri Politike (BFPI). Ai është njëri nga autorët e një botimi mbi bashkëpunimin e Kinës me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

"Formulimi fleksibil" i marrëveshjes

Në hapjen e Qendrës së Huawei-t në Beograd mori pjesë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Ajo tha se ka biseduar me partnerët kinezë për marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, nga ana e presidentit Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.


Sipas marrëveshjes, Kosova dhe Serbia "do të ndalojnë përdorimin e rrjetit 5G brenda infrastrukturës së tyre, nga klientë jo të besueshëm". Marrëveshja gjithashtu thotë se të dyja palët, marrin përsipër, të heqin pajisjet e tilla në kohën e duhur dhe të ndërmarrin hapa të tjerë të nevojshëm atje ku tashmë ato janë të pranishme.

"Huawei dhe ne, e kemi kuptuar plotësisht në mënyrë të njëjtë këtë pikë të marrëveshjes, që do të thotë se Serbia duhet të ketë një tender të hapur dhe transparent për partnerët kur të vijë koha për vendosjen e rrjetit 5G", tha Bërnabiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Bërnabiq shtoi se e ka vendosur si përparësi të qeverisë që drejton, transformimin digjital të vendit, duke thënë se Qendra për Zhvillim dhe Inovacion në Beograd do të ketë rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

Drejtori rajonal i kompanisë Huawei, Li Mengqun, në ceremoninë e hapjes së qendrës, tha se shpreson që Qeveria e Serbisë do të ketë trajtim të barabartë për partnerët e biznesit.

Në anën tjetër, Vlladisavljev i tha Radios Evropa e Lirë se vet marrëveshja që u nënshkrua në Uashington "është formuluar në mënyrë shumë fleksibile" dhe se mbetet të shihet se si do të vazhdojë zbatimi i marrëveshjes dhe si do të ndikojë në bashkëpunimin e mëtejshëm midis Huaweit dhe Serbisë.

Nënshkruesi i marrëveshjes, presidenti Vuçiq, në një deklaratë për Radio Televizionin e Serbisë, më 10 shtator, tha se Serbia do të respektojë marrëveshjen e Uashingtonit dhe se ajo "nuk thotë që Serbia nuk mund të përdorë pajisjet kineze për rrjetin 5G, por nuk mund të përdorë pajisje të pasigurta të rrjetit 5G ".

"Ende jemi larg rrjetit 5G, por askund nuk përmendet Kina", ka thënë Vuçiq.

Rrjeti 5G dhe Huawei në Serbi


Në Serbi, teknologjia 5G nuk është ende në dispozicion për përdoruesit e telefonave të mençur dhe as nuk janë kryer procedurat për lëshimin e licencave për përdorimin e radio- frekuencave të nevojshme.

Ministria e Telekomunikacionit e Serbisë i ka thënë kohë më parë Radios Evropa e Lirë se ndërtimi i rrjetit mund të fillojë vitin e ardhshëm.

Tre operatorët ekzistues në Serbi - Telekomi i Serbisë, në pronësi shtetërore dhe kompanitë private Telenor dhe VIP, do të konkurrojnë për radio-frekuencat.

Por, edhe operatorët e tjerë mund të marrin pjesë në ankand, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë, ndihmësministrja serbe e Telekomunikacionit, Irini Reljin.


Pikërisht bashkëpunimi i kompanisë shtetërore - Telekom, do të jetë interesant, në kontekstin e asaj se në çfarë mase dhe mënyre do ta zbatojë Serbia marrëveshjen e Uashingtonit dhe pjesën që flet për rrjetin 5G, mendon eksperti, Vlladisavljev.

"Huawei nuk ka bashkëpunim vetëm me Telekomin e Serbisë. Ka bashkëpunim të caktuar në disa aspekte gjithashtu me Telenorin. Sidoqoftë, gjëja më interesante do të jetë vëzhgimi i mënyrës së mëtejshme të bashkëpunimit midis Telekomit të Serbisë dhe Huaweit, sepse Telekomi është pronë e shtetit dhe përmes Telekomit, do të pasqyrohet më së miri politika e jashtme e Serbisë", thotë Vlladisavljev.

Ai thekson se marrëveshja nuk ka fuqi ligjore derisa të ratifikohet dhe përfshihet në legjislacionin kombëtar.

"Përmes disa deklaratave joformale të zyrtarëve serbë më 2019, kompanitë kineze, kryesisht Huawei, u përmendën si bashkëpunëtorët kryesorë, si furnizuesit kryesorë që janë të interesuar të marrin pjesë në ndërtimin e rrjetit telekomunikues 5G në Serbi", deklaron Vlladisavljev.

A ka transparencë në këtë biznes?

Gjatë hapjes së qendrës së Huaweit, kryeministrja Ana Bërnabiq deklaroi se kur bëhet fjalë për rrjetin 5G, Serbia do të respektojë standardet ndërkombëtare gjatë blerjes së paisjeve të nevojshme.

"Ky prokurim duhet të jetë i hapur, transparent dhe nuk duhet të ketë diskriminim ndaj asnjë partneri. Kjo nuk është në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington", tha Bërnabiq.

Sidoqoftë, jotransparenca është një nga tiparet e të bërit biznes nga ana e kësaj kompanie kineze në Serbi, për çka ka shkruar edhe fondacioni "Share", një organizatë joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive digjitale.

Huawei është i pranishëm në Serbi për më shumë se dhjetë vjet. Kjo kompani është e njohur për publikun me projektin "Qyteti i Sigurt", të cilin po e zhvillon në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe që përfshin instalimin e 1.000 kamerave të mbikëqyrjes të pajisura me teknologji për njohjen e fytyrës në 800 lokacione.

Të gjitha të dhënat për këtë projekt, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka shënuar si "sekrete".

Studiuesi i Fondacionit "Share", Bojan Perkov i tha Radios Evropa e Lirë se e gjithë historia me kamerat e Huaweit është "mjaft e diskutueshme".

"Kur bëhet fjalë për një teknologji shumë ndërhyrëse, siç është teknologjia e njohjes së fytyrës dhe ajo mbikëqyrjes në masë, dhe nuk ka asnjë debat të madh në shoqëri nëse është me të vërtetë e nevojshme, nëse është e vetmja mënyrë për të parandaluar diçka ose për të ngritur sigurinë, ju futeni në një situatë serioze, së pari sepse nuk keni transparencë, së dyti sepse krijohen disa shqetësime te qytetarët - nëse dikush po na spiunon dhe çfarë do të ndodhë me ato të dhëna", thotë Perkov dhe shton se kompanitë që veprojnë në Serbi janë të detyruara, pa përjashtime, për t’iu bindur ligjeve të atij vendi.

Autoritetet nuk flasin për rishikimin e bashkëpunimit

Ministria e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit e Serbisë, i pati thënë Radios Evropa e Lirë, se nuk sheh ndonjë arsye për të rishikuar bashkëpunimin me kompaninë kineze Huawei, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj kësaj kompanie më 2019.

Huawei është njëri ndër prodhuesit më të mëdhenj të telefonave të mençur në botë.

Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Tatjana Matiq pati thënë se "Huawei po zgjeron biznesin në Serbi dhe qëndrimi i shtetit për këtë bashkëpunim nuk ka ndryshuar".

"Çdo kompani që dëshiron të bëjë biznes në vendin tonë, të përpunojë dhe mbledh të dhëna nga qytetarët e Serbisë, t'i ruajë ato dhe të ngjashme, është e detyruar të respektojë ligjet e Republikës së Serbisë, veçanërisht në lidhje me standardet e sigurisë së informacionit dhe mbrojtjen e të dhënave personale", thotë Bojan Perkov nga Fondacioni "Share".

Kjo fushë rregullohet përmes Ligjit për sigurinë e informacionit dhe Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili, sipas Perkov, është i harmonizuar me ligjin evropian, dhe si i tillë ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2019.

"Qytetarët kanë një numër të të drejtave të tjera që ligji u lejon atyre - për shembull të drejtën për të poseduar pasqyrën e të dhënave të tyre, për të fshirë ato të dhëna dhe të ngjashme. Tani pyetja është kur keni një marrëdhënie të tillë jotransparente, çfarë ndodh me këto të drejta”, thekson Perkov.

Të gjitha aktivitetet e Huaweit në Serbi

Organizata ndërkombëtare Freedom House, e cila në një raport e klasifikon Serbinë si "regjim hibrid" thotë se vendosja e kamerave të Huaweit është shembulli më konkret i ndikimit teknologjik të Kinës në Serbi.

Huawei ka një kontratë me operatorin shtetëror të telefonisë për të ndërtuar një infrastrukturë të zgjerimit të internetit.

Serbia gjithashtu bashkëpunoi me Huawein për hapjen e Qendrës së të Dhënave në qytetin e Kragujevcit, e cila filloi punën në mars të vitit 2020. Në këtë qendër janë të dhënat nga administratat e qytetit, ndërmarrjet publike dhe institucionet, të cilat do të ruhen dhe do të lidhen me bazat e të dhënave kombëtare. Siç u njoftua në atë kohë, Kina dhuroi dy milionë dollarë në ndërtimin e "qendrës së të dhënave".

Huawei është gjithashtu një partner strategjik i Qeverisë së Serbisë në kuadër të shërbimeve të ndryshme komunale brenda projektit "Qyteti i mençur".

Në maj të vitit 2019, presidenti i SHBA-së, Donald Trump vendosi kompaninë kineze Huawei, në "listën e zezë", duke u ndaluar kompanive amerikane që të përdorin pajisjet e këtij gjiganti teknologjik kinez, me arsyetimin se kjo rrezikon sigurinë kombëtare.

Në tetor të të njëjtit vit, Departamenti amerikan i Shtetit renditi në listën e zezë 28 agjenci të sigurisë qeveritare kineze dhe kompani teknologjike të specializuara në pajisjet e mbikëqyrjes, duke i akuzuar ato për pjesëmarrje në një fushatë të shtypjes dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut, kryesisht ndaj pakicës myslimane ujgurë në Kinë.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG