Ndërlidhjet

Ministria e Arsimit: Jemi përgatitur për fillimin e vitit shkollor më 14 shtator


Prishtinë
Prishtinë

Zëvendësministri i Arsimit në Kosovë, Xhavit Rexhaj, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vit të ri shkollor për disa klasë më 14 shtator.

Përgatitjet shtesë kanë qenë të nevojshme, për të ofruar siguri në kohë të pandemisë.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Rexhaj tha se, më 14 shtator, pritet të nisë mësimi në shkollë për klasat e para, të dyta, të treta, të gjashta dhe të dhjeta, ndërsa në disa shkolla edhe për klasat e katërta dhe të pesta.

Klasat e shtata, të teta, të nënta, të njëmbëdhjeta dhe të dymbëdhjeta do të nisin më 21 shtator, tha Rexhaj.

Sipas tij, nxënësit e klasave të fazës së parë do t’i ndjekin mësimet me orar të shkurtuar dhe do të jenë të panishëm në shkollë, ndërsa nxënësit e klasave të fazës së dytë do të jenë dy ditë në shkollë dhe tri ditë online.

Rexhaj po ashtu tha se klasat do të jenë të zvogëluara, për të siguruar distancën 1.5 metër nga nxënësi në nxënës.

Me planin e Qeverisë së Kosovës ka qenë e paraparë që mësimi të niste më 1 shtator, por data është shtyrë për dy javë me kërkesë të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kosovës.

Kjo e fundit ka thënë atëbotë se nuk janë siguruar kushtet e nevojshme për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit dhe ka kërkuar, mes tjerash, që shkollat të pajisen me dezinfektues dhe të caktohen persona përgjegjës për matjen e temperaturës së nxënësve.

Qeveria e Kosovës i ka mbyllur institucionet arsimore qysh në mes të marsit, kur edhe janë shfaqur rastet e para me koronavirus.

Pjesën e mbetur të vitit shkollor, nxënësit e kanë ndjekur online.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG