Ndërlidhjet

Biden thotë se do të mbante trupa në Afganistan dhe Irak


Kandidati për president të SHBA-së, Joe Biden.
Kandidati për president të SHBA-së, Joe Biden.

Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se nëse zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë, ai do të mbajë një prani të vogël të trupave në Afganistan dhe Irak, për të ndihmuar në luftimin e terrorizmit.

Biden tha se e mbështet reduktimin e trupave, por shtoi se SHBA-ja duhet të shqetësohet edhe për terrorizmin dhe grupin militant, Shteti Islamik.

Ai i bëri komentet në një intervistë për gazetën ushtarake amerikane “Stars and Stripes”.

“Unë mendoj se kemi nevojë për kapacitete të veçanta, për t’u koordinuar me aleatët tanë”, tha Biden, duke shtuar se ai parashikon 1,500 deri në 2,000 trupa si numër maksimal.

Biden nuk e specifikoi se për cilin vend.

Ai po ashtu tha se ushtria amerikane nuk duhet të ndërhyjë në çështjet politike të vendeve ku ka trupa.

Ajo duhet të koordinohet me aleatët për të trajnuar dhe për të udhëhqur në “çrrënjosjen e grupeve terroriste, që do të vazhdojnë të shfaqen”, tha Biden.

Këtë javë, Pentagoni njoftoi se trupat amerikane në Irak do të reduktohen nga mbi 5,000 në rreth 3,000, këtë muaj.

Presidenti amerikan, Donald Trump, po ashtu ka thënë se do të zvogëlojë numrin e trupave amerikane në Afganistan nga 8,000 në 4,000-5,000, deri në ditën e zgjedhjeve në SHBA, më 3 nëntor.

Biden po ashtu tha se nuk planifikon ta shkurtojë buxhetin e mbrojtjes në SHBA, përballë kërcënimeve të mundshme nga vendet, si: Rusia dhe Kina.

Gazeta “Stars and Stripes” tha se ka kërkuar intervistë edhe me presidentin Trump.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG