Ndërlidhjet

Stano: Kosova dhe Serbia të merren me aranzhimet për komunitetet joshumicë


Ilustrim.
Ilustrim.

Çështjet që ndërlidhen me pozitën e komuniteteve pakicë në Kosovë tashmë janë të hapura në kuadër të dialogut të Brukselit, ndërkaq që zyrtarët e Bashkimit Evropian po paralajmërojnë mundësinë që palët (Kosova dhe Serbia) të diskutojnë edhe për çështjet për të cilat palët kanë arritur pajtim qysh në fazat e mëhershme të bisedimeve.

Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, nuk ka dashur që të përgjigjet drejtpërdrejt në pyetjen se a është sërish çështje për shqyrtim tema për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, marrë parasysh që bëhet fjalë për një marrëveshje që tashmë është arritur ndërmjet palëve.

Por, Stano ka paralajmëruar që do të bisedohet edhe për marrëveshjet e arritura më herët në dialog.

“Si pjesë e bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, tash është me rëndësi thelbësore që (Kosova dhe Serbia) gjithashtu të merren edhe me aranzhimet gjithëpërfshirëse për të gjitha komunitetet joshumicë”, ka theksuar Stano.

Në takimin e nivelit më të lartë në kuadër të dialogut në Bruksel, i cili është mbajtur më 7 shtator, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar që është ngritur çështja e Asociacionit për komunat me shumicë serbe. Këto deklarata i ka konfirmuar edhe bashkëbiseduesi i tij, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më tutje, detajet konkrete janë harmonizuar me parimet/elementet e përgjithshme nga marrëveshja e vitit 2015.

Sipas paralajmërimeve, liderët e të dy vendeve do të vazhdojnë që të diskutojnë për temën, të cilën pala evropiane e ka quajtur “pozita e komuniteteve joshumicë në Kosovë”, në takimin që është caktuar të mbahet në Bruksel, më 28 shtator.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar që është koha e fundit që procesi i dialogut të çohet drejt përfundimit me sukses.

“Sot bëhen plot 10 vjet prej kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka përshëndetur gatishmërinë e Bashkimit Evropian që të ndërmjetësojë në procesin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Është koha e fundit që ai të dërgohet drejt përfundimit në mënyrë të suksesshme”, ka shkruar Lajçak më 9 shtator përmes një postimi në Twitter.

Sipas zëdhënësit Peter Stano, ky është qëndrimi i përbashkët i të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

“Është koha e fundit që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja anët. Kjo është dashur të ndodhë që moti. Po punojmë që këto probleme t’i sjellim deri te një zgjidhje reale”, ka porositur Stano.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së ka rinisur më 16 korrik të këtij viti.

Ky proces ishte pezulluar në nëntor të vitit 2018 për shkak të një takse që autoritetet e Kosovës kishin vënë në mallrat serbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG