Ndërlidhjet

Kosova dhe Maqedonia e V. diskutojnë për gjendjen me COVID-19 dhe hapjen e kufijve


Kufiri me Maqedoninë e Veriut- Foto nga arkivi.
Kufiri me Maqedoninë e Veriut- Foto nga arkivi.

Maqedonia e Veriut dhe Kosova po diskutojnë në Shkup gjendjen epidemiologjike me COVID-19, si dhe mundësinë e lehtësirave për lëvizjen e qytetarëve, jo vetëm mes dy vendeve, por edhe më gjerë në rajon.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj para takimit në Shkup me homologun e tij maqedonas, Venko Filipçe, ka folur për gjendjen epidemiologjike në Kosovë duke theksuar nevojën për lehtësira gjatë kalimeve kufitare.

“Ne do të kemi një vlerësim të ri të situatës epidemiologjike. Sigurisht, në Kosovë kemi rënie të numrit të infektimeve, jemi drejt një stabiliteti komod, por duke e rritur përgjegjësinë në zbatimin e masave. Njëherësh do të shohim si është edhe gjendja në rajon, në Shqipëri, Maqedoni, Mali të Zi, Serbi dhe qytetarëve tanë ti mundësohet lëvizje më e lehtë”, ka deklaruar ministri Zemaj, duke theksuar se kushtet eventuale për kalimin e kufijve do të vendosen në bashkëpunim me profesionistët dhe duke u bazuar në situatën epidemiologjike.

Autoritetet e të dyja vendeve, për shkak të pandemisë, kanë vendosur kufizime për lëvizjen e qytetarëve duke lejuar qarkullimin vetëm me test negativ PCR, jo më të vjetër se 72 orë.

Ky test tregon nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.

Kjo vlen edhe për kalimet transit mes dy vendeve. Të dyja vendet lëvizje të lirë për momentin kanë vetëm me Shqipërinë.

Maqedonia e Veriut aktualisht ka 15.293 persona të diagnostikuar me COVID-19, prej tyre 12.754 janë shëruar, 634 kanë vdekur kurse 1905 persona ende janë aktiv. Në nivel të shtetit janë kryer 160.180 teste.

Numri i përgjithshëm i të prekurve me koronavirus në Kosovë arrin në 14,301. Prej tyre, gjithsej 568 pacientë kanë humbur jetën dhe 10,782 janë shëruar. Aktive vazhdojnë të mbeten edhe 2,951 raste.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG