Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë për normalizim të marrdhënieve ekonomike me Serbinë, paraqet një "hap të madh drejt marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve, që duhet të përfundojë me njohje reciproke".
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, të mbajtur të mërkurën, Hoti shtjelloi dy aspektet kyçe të marrëveshjes: atë ekonomik dhe politik.
"E para është pjesa ekonomike, janë projektet infrastrukturore, të dizajnuara kryesisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Ekonomisë dhe Ambientit, që në total shkojnë në një miliard dollarë investime, e që përfshijnë: autostradën Prishtinë-Merdare, hekurudhën Prishtinë-Merdare, studimin e fizibilitetit për hekurudhën që e lidh Prishtinën me Detin Adriatik, mbështetje financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, investime në energjetikë përmes sjelljes së gazit në Prishtinë, termocentrale me gaz dhe rrjetin e shpërndarjes së gazit në Kosovë", tha Hoti.
Sipas tij, këto projekte do të mbështeten nga Korporata Ndërkombëtare Financiare Zhvillimore e Shteteve të Bashkuara (DFC) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC).
Hoti tha se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara që këto projekte të fillojnë të zbatohen menjëherë.
Gjatë javës së ardhshme, sipas tij, do të përgatitet një plan veprimi për detyrat e institucioneve të Kosovës në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, që pritet të shqyrtohet nga qeveria në mbledhjen e ardhshme.
Kryeministri Hoti tha se pika kryesore e pjesës politike të marrëveshjes është njohja nga shteti i Izraelit.
"Kjo marrëveshje e forcon sovranitetin e Kosovës në skenën ndërkombëtare", tha Hoti, duke shtuar se gjatë bisedës telefonike që ka pasur nga Shtëpia e Bardhë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, atij i është konfirmuar njohja nga ana e Izraelit.
Hoti tha se do të vazhdohet puna me Ministrinë e Jashtme për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin ekonomik, e cila ka 16 pika.
Palët nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e tyre.
Njëkohësisht, presidenti Trump ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guximin lidhur me arritjen e përparimit në normalizimin e marrëdhënieve.