Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se një marrëveshje bilaterale është arritur mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shtëpi të Bardhë dhe se pala e tretë, Kosova, “nuk është njohur”.
Vuçiq u tha gazetarëve pas nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike në Shtëpi të Bardhë se ai i është mirënjohës presidentit amerikan, Donald Trump.
“Ne kemi pasur një bisedë bilaterale të shkëlqyeshme dhe kjo është një gjë e madhe për Serbinë dhe për mua personalisht. Ne jemi pajtuar për gjëra të mira për vendin tonë. Ne nuk kemi asgjë për t’u frikësuar” tha Vuçiq.
“Ajo çka është e rëndësishme për ne është se përmes marrëveshjes bilaterale, marrëdhëniet me një nga fuqitë më të mëdha në botë (SHBA) është përcaktues i drejtpërdrejtë për t’u marrë me ekonomi dhe disa çështje politike, mirëpo që nuk janë të dhimbshme për vendin tonë”, tha Vuçiq.
Presidenti i Serbisë tha se marrëveshja përmban 16 pika, mirëpo ato nuk janë të ngjashme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.
Vuçiq tha se është pajtuar të hapet në Beograd zyra e Fondit Zhvillimor të SHBA-së, që do të thotë, siç tha ai, një sinjal i fortë për agjencitë kreditore dhe investitorët.
“Amerikanët do të monitorojnë projektet e rëndësishme me ne, siç është ndërtimi i autostradës për në Prishtinë. Ne u pajtuam si do ta ndërtojmë hekurudhën dhe si ta lidhim Prishtinën me Serbinë qendrore, përmes Merdares (kalimit kufitar)”, tha Vuçiq.
Më tutje ai tha se ka pajtim për financimin e disa projekteve nga disa korporata Amerikane dhe US Export Bank.
Vuçiq tha se nuk ka më pikë në marrëveshje që do të thotë njohje e dyanshme. Ai the se pala kosovare ka nënshkruar dokumentin se do t’i bashkohet Mini Shengenit.
“Kjo do të na mundësojë një treg të përbashkët dhe nuk do të ketë më befasi me taksa. Ne do të kemi kalim të lirë të njerëzve dhe produkteve”.