Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump në Zyrën Ovale.
Presidenti Trump ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë shprehur përkushtimin të normalizojnë raportet ekonomike, raporton Reuters.
Trump tha se kjo është "një ditë shumë e rëndësishme dhe historike". Ai shtoi se edhe pas historisë së dhunës dhe negociatave të dështuara, administrata e tij ka bërë një "përparim të madh" në dialog dhe se "askush nuk ka menduar se kjo do të ishte e mundur".
Trump gjithashtu tha se ai shpreson se "do të shkojë në të dyja vendet në një të ardhme jo aq të largët" dhe se ai është "krenar për dy udhëheqësit".
"Është dashur një trimëri e jashtëzakonshme nga presidenti Vuçiq i Serbisë dhe kryeministri Hoti i Kosovës për të filluar këto bisedime dhe për të ardhur në Uashington për të përfunduar këto zotime", tha Trump.
Këshilltari për Siguri Kombëtare Robert O’Obrien ka thënë se derisa marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë kultivohen, do të ketë edhe zgjidhje politike gjithashtu.
Kryeministri Hoti tha se marrëveshja me Serbinë është një hap i madh përpara që do të çojë në njohjes reciproke mes dy vendeve.
Presidenti ser,b Aleksandar Vuçiq ka thënë se ka ende shumë dallime midis Serbisë dhe Kosovës, por ky është një hap i madh përpara.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, që prej 3 shtatorit kanë zhvilluar takime me ndërmjetësimin e këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe të dërguarin e presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.
Këto takime u tha se kishin në fokus bashkëpunimin ekonomik.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nisi më 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara u përfshin në këtë dialog më shumë, pasi më 4 tetor, 2019, presidenti Trump, emëroi Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm në këto bisedime.