Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se në bazë të informacioneve që posedon nga bisedimet Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka hedhur poshtë "pikën dhjetë të marrëveshjes, e cila parashikon njohjen e pavarësisë së Kosovës".
"Ai (Vuçiq) e tha qartë se është e papranueshme dhe që Serbia do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e saj", tha Daçiq, duke shtuar se, "asnjëherë më parë delegacionit serb nuk i është paraqitur një dokument për njohjen e pavarësisë së Kosovës".
Më herët, ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Malli, i cili është pjesë e delegacionit të Beogradit në bisedimet Kosovë-Serbi në Uashington, tha se palëve u është paraqitur një listë me 16 pika, ku përfshihet një pikë që parashikon njohjen e ndërsjellë.
"Fjala ka qenë për gjëra tjera, por është mëse e qartë se ishte një përpjekje për të zgjeruar pak temën, sepse është thënë që ekonomia do të jetë në rendin e ditës", tha Daçiq për televizionin privat Pink.
Ministri i Jashtëm serb tha se Serbia dëshiron të marrë pjesë në normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Kosovën.
"Por, nëse ekziston dëshira për të shkuar një hap më tej në zgjidhjen politike përmes një agjende të fshehtë, duke vendosur formulimin 'njohje e ndërsjellë', është e qartë për të gjithë se Serbia nuk do ta pranojë atë", u shpreh Daçiq.
Në Shtëpinë e Bardhë në Uashington është duke u zhvilluar takimi ndërmjet delegacioneve të Serbisë dhe Kosovës, të udhëhequra nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Nikoqirë të takimit janë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Derisa takimi po zhvillohej, Grenell, e ka përgënjeshtruar një medium, i cili ka raportuar se ai i ka paraqitur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq një dokument për nënshkrimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
"E pavërtetë", ka shkruar Grenell në profilin e tij në Twitter.
Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pala serbe do të bëjë çmos për të arritur një kompromis për çështje të rëndësishme ekonomike.
Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.