Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për qetësi dhe dialog gjithëpërfshirës pas zgjedhjeve në Mal të Zi.
Këtë porosi e ka përcjellur zëdhënësja për çështje të zgjerimit në Komisionin Evropian, Ana Pisonero, duke reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Mal të Zi dhe raportimeve se ka pasur edhe akte provokuese ndaj pakicave.
“Ne po përcjellim për së afërmi zhvillimet politike në Mal të Zi pas zgjedhjeve të 30 gushtit. Siç kanë nënvizuar në deklaratën e tyre Përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell dhe Komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, ne presim formimin e Parlamentit të ri dhe formimin e qeverisë së re e cila do të vazhdojë rrugën e qëndrueshme të Malit të Zi drejt BE-së” ka thënë kjo zëdhënëse.
“Në këtë kontekst, ne presim qetësi dhe përmbajtje, dialog politik, si dhe respektim të vlerave të BE-së në mesin e të cilave është edhe respektimi i pakicave”, ka thënë Ana Pisonero.
Të dielën në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në të cilat, për herë të parë pas tri dekadash, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq ka humbur.
Zgjedhjet u fituan nga partitë opozitare që konsiderohen si pro-serbe dhe pro-ruse.
Mali i Zi, përndryshe, konsiderohet lider në procesin e integrimit evropian. Ai ka qenë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që ka nisur negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian, në qershor të vitit 2012.