Ndërlidhjet

Unë jam tajvanez, thotë kreu i Senatit çek


Milos Vystrcil gjatë fjalimit në Taipei të Tajvanit.
Milos Vystrcil gjatë fjalimit në Taipei të Tajvanit.

Presidenti i Senatit të Republikës Çeke, Milos Vystrcil, e deklaroi veten tajvanez, teksa mbajti një fjalim në Parlamentin e Tajvanit.

Deklarata nxiti reagim të ashpër nga Kina.

Ky vend, i cili pretendon se Tajvani është territor i tij, tha se do të bëjë që Vystrcil “të paguajë çmim të lartë” për vizitën në ishull.

Vystrcil e përfundoi fjalimin e tij në Parlamentin e Tajvanit duke iu referuar fjalimit të ish-nënpresidentit amerikan, John F. Kennedy, gjatë të cilit ai i tha Berlinit Perëndimor, të rrethuar nga komunistët, më 1963, se ai po ashtu është berlinas.

“Në vitin 1963, presidenti amerikan, John F. Kennedy, në fjalimin e tij të famshëm ‘Unë jam një berlinas’, kundërshtoi qartazi komunizmin dhe shtypjen politike, ndërsa mbështeti popullin e Berlinit Perëndimor”, tha Vystrcil.

“Ju lutem, më lejoni ta shpreh personalisht mbështetjen time për Tajvanin dhe vlerën themelore të lirisë dhe ta përfundoj fjalimin e sotëm me një deklaratë ndoshta më të përulur, por po aq të fortë: Unë jam tajvanez", tha Vystrcil, duke e thënë frazën e fundit në gjuhën mandarine.

Vystrcil, i cili po viziton ishullin me një delegacion politikanësh dhe biznesmenësh, tha se vizita në Tajvan nënvizon politikën e jashtme, "të bazuar në vlera", të vendosur nga presidenti i ndjerë i Çekisë, Vaclav Havel, një disident anti-komunist.

Ashtu si shumica e vendeve, Qeveria çeke e njeh zyrtarisht politikën “Një Kinë”, sipas së cilës, Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij.

Por, Vystrcil është anëtar i opozitës së qendrës së djathtë dhe nuk është i lidhur me protokollin diplomatik.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, tha se Kina do ta bëjë Vystrcilin "të paguajë çmim të lartë për sjelljen e tij dhe spekulimet politike".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG