Fillimi i vitit shkollor në Kosovë është shtyrë për datën 14 shtator. Vendimin e ka bërë të ditur ministri i Arsimit dhe Shkencës në Kosovë, Ramë Likaj, pas takimit me përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, përfaqësues të sindikatës së arsimit dhe ata të këshillit të prindërve.
"Nuk po e shtyjmë vitin shkollor për shkak se kemi diskutime me njëri-tjetrin por qëllimi është të përgatitemi sa më mirë, që të kujdesemi për shëndetin e fëmijëve tanë, nxënësve, personelit arsimor dhe gjithë qytetarëve të Kosovës", ka thënë ministri Likaj.
Të mërkurën, Qeveria e Kosovës miratoi planin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për fillimin e vitit të ri shkollor para-universitar në tri faza, nisur nga 1 shtatori.
Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), kërkoi të enjten, shtyrjen e fillimit të vitit të ri shkollor për 10 ditë.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, tha për Radion Evropa e Lirë se shkollat nuk i kanë përfunduar përgatitjet për fillimin e mësimit në kohë pandemie.
Kurse, në një komunikatë për media, SBASHK-u kërkoi nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës që t'i pajisin shkollat me dezinfektues dhe të caktojnë persona përgjegjës, por jo mësimdhënës, për matjen e temperaturës së nxënësve.
Gjithashtu u kërkua që shkollat të kenë personel mjekësor kujdestar, së paku ato që kanë më shumë se 500 nxënës, dhe të krijohen mundësi për kryerjen e testit për COVID-19 të personelit arsimor.