Ndërlidhjet

Komuniteti ndërkombëtar kërkon që çështja e rrugës Plavë-Deçan të zgjidhet në bazë të ligjit


Flamuri i SHBA-së dhe vendeve evropiane.
Flamuri i SHBA-së dhe vendeve evropiane.

Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë kanë kërkuar që para se të ndërmerret ndonjë veprim për rrugën Plavë-Deçan, palët "në përpikmëri" t’u përmbahen ligjeve të Kosovës, në veçanti ligjit të vitit 2008 për Zonat e Mbrojtura Speciale, dhe të ngrisin çdo shqetësim të mbetur brenda kornizave të Këshillit Monitorues për Implementim (KMI).

Përmes një komunikate të përbashkët, ambasadorët apo të ngarkuarit me punë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara kanë njoftuar se së bashku me përfaqësues të Bashkimit Evropian, KFOR-it, dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kanë vizituar rajonin e Deçanit "në kërkim të fakteve".

Ata janë takuar ndaras me kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Igumenin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq .

"Për më tepër, i nxisim autoritetet e Kosovës qe të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 19 maj 2016, lidhur me kontestin pronësor në Deçan. Dhe në fund, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë ekspeditive të zgjidhë çështjen e punimeve rrugore në përputhje me këto që u përmendën me lartë", thuhet në komunikatë.

Punimet për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, u ndërprenë më 16 gusht, pas kërkesës së kryeministrit të Kosovës, Abdullah Hoti.


Reagimi i kryeministrit, erdhi një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur se Beogradi do të kërkojë "pezullim urgjent dhe të përhershëm të punimeve të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit" nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe ndërmjetësuesit evropianë në takimin e ardhshëm në Bruksel.

Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq deklaroi më herët për Radion Evropa e Lirë se ndërtimi i rrugës Deçan – Plavë është i ndaluar me ligjet e Kosovës dhe rikujtoi se zgjidhja e këtij problemi është gjetur më 2014, kur kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi – aktualisht president i Kosovës – vendosi që ta devijojë këtë rrugë, në mënyrë që të mos kalonte përmes zonës së mbrojtur.

Rruga Deçan – Plavë, mes politikës dhe shkeljeve ligjore
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:18 0:00

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për zona të veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës. Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG