Ndërlidhjet

Hyseni në Francë për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi


Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni.
Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni.

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni ka njoftuar se të premten ka zhvilluar disa takime me zyrtarë të politikës franceze për të diskutuar rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Hyseni ka thënë se përgjatë takimit me Alexandre Adam, këshilltar diplomatik për Evropë i presidentit francez Emmanuel Macron, ka theksuar se përkushtimi i liderit francez dhe kancelares gjermane, Angela Merkel është thelbësor në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit që po zhvillohen në Bruksel.

Megjithatë, ai ka përmendur nevojën e përfshirjes së drejtpërdrejtë të Uashingtonit në këtë proces.

“Koordinimi me synimin që dialogu të marrë një dinamikë të re është imperativ. Theksova se nuk duhet të humbet koha e çmueshme, duke zvarritur procesin, por duhet shtruar pa u vonuar dhe pa zvarritje, për diskutim dhe akordim çështjen kryesore, marrëveshjen gjithëperfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të arrihet vetëm me përfshirjen dhe përkrahjen e drejtpërdrejt dhe të koordinuar të trekëndëshit Paris, Berlin, Uashington për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të arrijnë një marrëveshje normalizimi, duke njohur njëra-tjetrën”, ka thënë Hyseni në një postim në rrjetin social, Facebook.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Hyeseni ka thënë se gjatë takimit me ambasadorin, Frederic Mondoloni, njëherësh drejtor për Evropë Kontinentale në ministrinë e Jashtme të Francës, ka kërkuar që ” Franca përfundimisht të japë pajtimin e saj që liberalizimi të ndodh brenda këtij viti”.

Lajmi për vizitën e Hysenit në Francë vjen pak ditë para takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë në mes të zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Richard Grenellit, të dërguarit të presidentit amerikan, Donald Trump për këtë proces.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë Kosovës, Ramush Haradinaj, përgjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova duhet të shkojë në Uashington në shtator për një marrëveshje përfundimtare.

Mirëpo presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të enjten se në Uashington mund të ketë bisedime mes Kosovës dhe Serbisë vetëm për temat e përcaktuara më herët dhe se nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare atje.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka rinisur në Bruksel më 16 korrik të këtij viti.

Ky proces ishte pezulluar nga nëntori i vitit 2018, meqë autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në importet e Serbisë.

Kjo masë ka qenë e papranueshme për autoritetet serbe, derisa heqjen e saj më vonë e ka mirëpritur edhe faktori ndërkombëtar, me qëllim të rikthimit të dialogut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG