Shtetet e Bashkuara filluan zyrtarisht procesin e aktivizimit të një mekanizmi që synon të rivendosë sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit.
SHBA-ja thotë se Irani ka shkelur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nga e cila Uashingtoni u tërhoq më 2018.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i dërgoi një letër Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duke e njoftuar atë për mosrespektimin që Irani ka bërë ndaj marrëveshjes.
"Shtetet e Bashkuara kanë ndërmend të rivendosin pothuajse të gjitha sanksionet e pezulluara më parë të Kombeve të Bashkuara mbi Iranin", tha presidenti, Donald Trump më 19 gusht.
Sanksionet ishin lehtësuar në këmbim të frenimit të programit bërthamor të Iranit.
Por, masa e SHBA-së përballet me kundërshtim në Këshillin e Sigurimit, ku anëtarët e tjerë kanë vënë në dyshim të drejtën e Shteteve të Bashkuara për ta bërë atë pasi Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore më shumë se dy vjet më parë dhe vendosi sanksione të njëanshme.
Shtetet e Bashkuara pretendojnë se ajo mbetet një "pjesëmarrëse" në marrëveshje, pasi këtë ia mundëson një rezolutë e Kombeve të Bashkuara.
Javën e kaluar Këshilli i Sigurimit dështoi të miratojë një rezolutë për të zgjatur një embargo armësh në Iran.
Pompeo, në një intervistë për Fox News më 19 gusht, tha se SHBA-ja “do të bëjë që këto sanksione të vendosen përsëri dhe bota do të jetë më e sigurt".
Ai gjithashtu tha se do t'i mbajë Kinë dhe Rusinë përgjegjëse nëse bllokojnë masën.
Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe thanë se nuk mund të mbështesin përpjekjet e SHBA-së për të rikthyer sanksionet e Kombeve të Bashkuara mbi Iranin.