Ndërlidhjet

Hoti kërkon pezullimin e punimeve të rrugës Deçan-Plavë 


Rruga Deçan-Plavë.
Rruga Deçan-Plavë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar që të pezullohen punimet në rrugën Deçan-Plavë, që prek zonën e Manastirit të Deçanit.

Në një njoftim të qeverisë thuhet se “Kryeministri Hoti e vlerëson rëndësinë jetike që ka kjo rrugë për qytetarët e kësaj ane dhe përtej saj, megjithatë duhet respektuar legjislacioni në fuqi i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”.

“Duke e ditur ndikimin e drejtpërdrejtë të kësaj rruge në ekonominë dhe në cilësinë e jetës së banorëve të Komunës së Deçanit, kryeministri Hoti e mbështet shqyrtimin e të gjitha mundësive ligjore dhe praktike në terren për ta kompletuar këtë rrugë që e lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi”, thuhet në njoftim.

Vuçiq: Në Bruksel do të kërkojmë ndërprerje urgjente të punimeve pranë Deçanit

Reagimi i kryeministrit Hoti ka ardhur një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur se Beogradi do të kërkojë "pezullim urgjent dhe të përhershëm të punimeve të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit" nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe ndërmjetësuesit evropianë në takimin e ardhshëm në Bruksel.

Edhe komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, Michele Risi, ka vizituar të shtunën Deçanin dhe është takuar me kryetarin e kësaj komune, Bashkim Ramosaj.

Risi dhe Ramosaj kanë biseduar për situatën e përgjithshme në zonën e veçantë të mbrojtur të Deçanit.

Komandanti Risi ka takuar po ashtu edhe Peshkopin Sava Janjiq në Manastirin e Deçanit.

"Në të dy takimet u diskutua për situatën e përgjithshme në zonë, duke marrë parasysh ndikimin e veçantë në siguri të punimeve në rrugën R108 që shtrihet në afërsi të Manastirit të Deçanit", thuhet në një njoftim të KFOR-it.

Fillimi i punimeve të rrugës Deçan-Plavë (R-108), rrugë kjo që e lidh rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë, ka filluar në 2018.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG