Ndërlidhjet

Qeveria afgane nis fazën e fundit të lirimit të të burgosurve talibanë


Disa talibanë të liruar nga burgjet.
Disa talibanë të liruar nga burgjet.

Qeveria afgane ka thënë më 14 gusht se ka nisur lirimin e 400 militantëve talibanë, në kuadër të fazës së fundit të këmbimit të të burgosurve që synon të hapë rrugën për bisedime të paqes mes Kabulit dhe talibanëve.

Një grup prej 80 të burgosurve talibanë janë liruar nga burgjet më 13 gusht, ka thënë Këshilli Kombëtar për Siguri në Afganistan.

Presidenti i këtij shteti, Ashraf Ghani ka njoftuar më 9 gusht rreth synimit të tij për të liruar 400 militantë talibanë, shumica e të cilëve janë dënuar për sulmet e përgjakshme ndaj afganëve dhe të huajve.

Lirimi i të burgosurve përbën përpjekjen e fundit për nisje të bisedimeve për paqe në mes të qeverisë së përkrahur ndërkombëtarisht në Kabul dhe talibanëve, ashtu siç është paraparë në një marrëveshje të nënshkruar në muajin shkurt në mes të militantëve dhe Shteteve të Bashkuara.

Të dyja palët kanë thënë se pak ditë pasi të përfundojë ky proces i këmbimit të të burgosurve, ata do të jenë gati për nisje të bisedimeve të brendshme, në Doha të Katarit.

Talibanët në anën tjetër nuk janë deklaruar ende për lirimet.

Kabuli deri më tani ka liruar 4,600 talibanë nga 5,000 për ishte zotuar fillimisht në marrëveshje.

Zyrtarët afganë i kanë përshkruar të burgosurit e mbetur si njerëz shumë të rrezikshëm, duke i akuzuar për organizim të sulmeve në ambasada, në sheshe publike dhe zyra qeveritare, duke lënë të vdekur mijëra civilë në vjetët e fundit.

Talibanët është thënë se deri më tani kanë liruar 1,000 të burgosur qeveritarë.

Përveç tërheqjes së trupave amerikane dhe të atyre të koalicionit, në marrëveshjen mes SHBA-së dhe talibanëve, u është bërë thirrje këtyre të fundit që të garantojnë se Afganistani nuk do të përdoret si tokë për organizim të sulmeve terroriste ndaj SHBA-së apo aleatëve të saj.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka thënë përmes një deklarate se SHBA-ja planifikon të zvogëlojë numrin e trupave të saj në Afganistan “në më pak se 5,000” deri në fund të muajit nëntor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG