Projektligji për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të procedohet sërish në seancë plenare, tha propozuesi i këtij legjislacioni, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Gazmend Bytyçi.
“Mundësitë janë që në çdo seancë të re do të jetë pikë e parë e rendit të ditës derisa ta marrë votimin apo kuorumin prej 61 deputetëve që duhet të marrin pjesë në votim, pra në këtë rast pro, kundër ose abstenim. Por, 61 deputetë duhet ta çojnë dorën për këtë projektligj”, tha Bytyçi për Radion Evropa e Lirë.
Bytyçi tha se ishte i befasuar që sot deputetët nuk votuan pro këtij projektligji, i cili sipas tij “mbron vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Duke folur për kritikat që ka marrë ky ligj nga ambasada amerikane në Prishtinë dhe diplomatë të tjerë ndërkombëtarë, Bytyçi tha se të gjitha këto vërejtje mund të adresohen gjatë amendamentimit të këtij legjislacioni ndërmjet leximit të parë dhe të dytë.
“Ne mendojmë që ky ligj nuk e cenon as lirinë e shprehjes as të fjalës, nuk frikëson asnjë grup të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe është një ligj i cili ruan, vlerëson dhe mirëmban një pjesë të veçantë të historisë sonë. Ky është qëllimi kryesor i këtij ligji”, tha ai.
Gjatë seancës plenare, vetëm 36 deputetë morën pjesë në votimin e këtij projektligji – duke pamundësuar që ai të kalojë në leximin e parë.
Sipas deputetit Bytyçi, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse ishin në sallë, nuk morën pjesë fare në votim.
“PDK-ja, Nisma, Aleanca dhe grupi 6+, gjithë ata që ishin prezent e votuan”, tha ai.
Ky projektligj, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, që është në opozitë, ka nxitur reagime të shumta për shkak se po vlerësohet se mund të cenojë lirinë e shprehjes si dhe krijon mundësi për të frikësuar dëshmitarë potencialë të proceseve gjyqësore ku përfshihen ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Me përmbajtjen e projektligjit nuk është pajtuar ambasada amerikanë në Prishtinë. Përmes një reagimi të datës 7 gusht, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka alarmuar për rrezikun që prodhon ligji sa i takon cenimit të lirisë së shprehjes.