Deputeti i opozitës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka quajtur kalkulime deklaratat e partive politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
"Kalkulimet e partive të koalicionit qeverisës, me kërkesë për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm tregojnë shumë për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhen ato, por edhe janë dëshmi e mosbesimit të thellë që kanë qytetarët ndaj tyre", ka shkruar Kasniqi në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, çfarëdo diskutimi për postin e presidentit të shtetit, është joetik.
"Aq më shumë, nëse pjesë e këtyre planeve është edhe çështja e akuzave potenciale nga Dhomat e Specializuara", ka shkruar Krasniqi.
Këshilli drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që është pjesë e koalicionit qeverisës, ka diskutuar të mërkurën për mundësinë e propozimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, si kandidat për president të ardhshëm të vendit.
Vetë Haradinaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook e ka konfirmuar se mund të jetë kandidat për president.
"Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë", ka shkruar Haradinaj.
Partnerët e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk janë marrë vesh se kush do të zgjidhet president pas skadimit të mandatit të presidentit Thaçi më 2021.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me votat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Njohësi i çështjeve politike, Albert Krasniqi i tha Radios Evropa e Lirë se nëse Haradinaj nuk e ka përkrahjen e partnerëve të koalicionit" nuk do të arrijë të jetë as kandidat dhe lere më të zgjidhet për president".
"Ky nominim i njëanshëm i AAK-së nuk do t'i kontribuojë relaksimit të raporteve ndërmjet partnerëve të koalicionit, ndonëse posti i presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes së koalicionit", tha Krasniqi.