Gjatë kohës që po zhvillohen bisedimet në përpjekje të formimit të qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, në rrjetet sociale nga qarqe të caktuara janë shfaqur qëndrime nacionaliste.
Njohësit e çështjeve politike thonë se kjo dukuri nxitet nga vetë partitë politike për të siguruar pozicione më të mira gjatë procesit të negociatave për formimin e qeverisë së re e që duket se është një proces i vështirë pasi rezultati zgjedhor mundëson më shumë kombinime rreth përbërjes së koalicionit të ardhshëm qeveritar.
Përmes një porosie të shpërndarë në rrjetet sociale nga siç thuhet ish-ushtarë të UÇK-së, thuhet se nëse subjektet maqedonase shkelin vullnetin politik të shqiptarëve, në atë rast kanë potencuar se janë të gatshëm për luftë.
Ndërkaq, kryetari i partisë majtiste “Levica”, i cili është zgjedhur deputet në përbërjen e re parlamentare, duke iu referuar zhvillimeve në Karpallëk të Tetovës ku humbën jetën 10 pjesëtarë të forcave të sigurisë maqedonase gjatë konfliktit të vitit 2001, në profilin e tij në Facebook është drejtuar me fjalë të rënda ministres së mbrojtjes Radmilla Shekerinska.
Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike, për Radion Evropa e Lirë thotë se partitë politike në Maqedoninë e Veriut qofshin ato nga kampusi politik maqedonas apo ai shqiptar, gjithmonë kur nuk arrijnë të realizojnë premtimet gjatë fushatës zgjedhore, këtë e kamuflojnë përmes nacionalizmave të rrejshëm.
“Shoqërisë në Maqedoninë e Veriut i duhet një nacionalizëm institucional, si nga blloku shqiptar ashtu dhe ai maqedonas, që për mua në përkthim do të thotë vendosja e njerëzve të ditur, të duhur, në pozita të caktuara të cilët do të dinë të menaxhojnë me problemet që i kemi".
"Është ky një nacionalizëm letargjik që na paraqitet, një lojë ping-pongu për të blerë kohë për të matur forcat partitë politike gjatë zhvillimit të bisedimeve për formimin e qeverisë së re të vendit”, thotë Sinani.
Ndërkaq, Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike, vlerëson se shfaqja e nacionalizmit nga tabore të caktuara politike tashmë është bërë një dukuri shumë e zakonshme gjatë zgjedhjeve dhe periudhës pasgjedhore, por Dimoski beson se sapo të formohet qeveria kjo dukuri do të zbehet në masë të theksuar.
“Mendoj se me formimin e qeverisë do të shuhen deklaratat si dhe veprimet që për bazë kanë nacionalizmin deri në proceset e ardhshme zgjedhore, kur partitë do të duhet sërish të gjejnë forma për të joshur elektoratin dhe nacionalizmi është kartë që përdoret në mungesë të realizmit të projekteve”, thotë Dimovski.
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, gjatë të hënës u ka bërë thirrje partive politike shqiptare të ulen në një tryezë të përbashkët më 13 gusht, datë kjo që shënon nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, por pa treguar se çka do të jetë temë diskutimi.
Ndërkohë që drejtuesit e partive shqiptare akoma nuk kanë bërë të ditur se a do t'i përgjigjen kësaj ftese, lideri i Lidhjes Socialdemokrate Zoran Zaev ka theksuar se takimin e partive politike shqiptare e sheh si porosi për presion ndaj tij në kohën kur ai po zhvillon bisedimet për krijimin e shumicës parlamentare.
Arsim Sinani, ftesën e liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e sheh si tentim për mbijetesë politike, pasi sipas tij partia e Ahmetit duke qenë pjesë e qeverisë më shumë se një dekadë e gjysmë nuk ka arritur të realizojë as premtimin kyç për zgjidhjen e statusit të ish pjesëtareve të UÇK-së.
“Nëse ftesa e tij (Ali Ahmetit) është një ftesë sa për të drekuar dhe për të mbijetuar politikisht mendoj se kjo është e dëmshme, por nëse ai ka një program për zhvillimin e shqiptarëve pse jo, por unë shumë pak i besoj kësaj.
Nga viti 1990 me pavarësimin e shtetit e deri në vitin 2020, ka më shumë objektiva të shqiptarëve që nuk janë realizuar, le ta fillojmë nga mungesa e ligjit për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare,” thotë Sinani.
Përmes një kolumne ish-deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Nazmi Beqi u është drejtuar disa profesorëve shqiptarë që janë kundër idesë për kryeministër shqiptar, duke cituar diplomatin Bashkim Rama se me hyrjen në NATO nuk ndërpritet lufta, andaj duhet pasur kujdes.
Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike, thotë se NATO mbase në mënyrë publike nuk do të reagojë ndaj qëndrimeve të këtilla sepse bëhet fjalë për cështje lokale, por gjithsesi nga zyra e NATO-s do të thirren struktura të këtilla.
“NATO në asnjë mënyrë nuk do të heqë dorë nga ajo që paraqet paqe dhe siguri në shtet, dhe këtë do ta garantojnë me çdo kusht, por vlerësoj se këto deklarata kanë të bëjnë me cështje lokale derisa mos të ftohen struktura të caktuara në një nga zyrat ku do tu sugjerohet të ndërpritet me veprime të këtilla. E dini partitë para se të formohet qeveria kanë kërkesa maksimale,por kur u premtohet pjesëmarrja në qeveri këto kërkesa disi fillojnë të zbehen”, thotë Dimovski.
Ndryshe, në bazë të hulumtimit të realizuar nga NDI të publikuar gjatë muajit të kaluar, qytetarët e Maqedonisë së Veriut marrëdhëniet ndëretnike i kanë vendosur në fund të listës së prioriteteve.
Në krye të kësaj liste kryesojnë çështjet ekonomike për çka janë deklaruar më shumë se 33 për qind e qytetarëve të anketuar, më pas pasojnë sidat për ballafaqimin me pandeminë e koronavirusit për çka janë shprehur 22 për qind e qytetarëve të anketuar.
Ndërkaq, 31 për qind janë deklaruar se sfidë për ta mbeten problemet sistematike ku në radhë të parë kanë fokusuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit për çka janë deklaruar 24 për qind e qytetarëve të anketuar, dhe vetëm 1 për qind kanë fokusuar raportet ndëretnike si problem.