Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, ka thënë se institucionet private shëndetësore, që janë licencuar për të kryer testime për COVID-19 do të monitorohen nga ana e autoriteteve shtetërore.
“I kërkova Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që të monitorojë sjelljen e këtyre institucioneve në raport me caktimin e çmimeve të shërbimeve të testimit dhe të pamundësojnë krijimin e monopoleve”, deklaroi ministri Zemaj pas takimit me kreun e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi.
Ai tha se institucionet përmes monitorimit do të sigurohen “se laboratorët nuk do të bëjnë asnjë lloj marrëveshje të ndaluar për të caktuar çmime të testimeve në dëm të qytetarëve të vendit”.
Ende nuk dihet se sa do të jetë çmimi i testimeve në institucionet private shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë të hënën licencoi 29 institucione shëndetësore private, për të kryer teste serologjike dhe teste me metodën PCR për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë, 27 institucione private shëndetësore do të kryejnë teste serologjike, ndërsa dy laboratorë ato me metodën PCR.
Testet serologjike janë ato teste në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin dhe bëhet përmes mostrave të gjakut. Ndërkaq, testi PCR përcakton nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.