Ndërlidhjet

Rreth 100 milionë euro më pak të hyra në arkën e shtetit


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Si pasojë e pandemisë COVID-19, buxheti i shtetit të Kosovës brenda gjashtë muajve ka më pak të hyra për afro 100 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, thonë zyrtarët nga dy institucionet kryesore për mbledhjen e taksave, tatimeve dhe detyrimeve të ndryshme financiare.

Dy institucionet që kontribuojnë më së shumti në mbushjen e buxhetit të Kosovës janë Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës.

Arsyeja e rënies së të hyrave ka ardhur si pasojë e masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, siç janë kufizimet në ushtrimin e aktiviteteve ekonomike, shlyerja dhe shtyrja e obligimeve tatimore dhe masa tjera.

Kosova kishte filluar marrjen e masave për frenimin e përhapjes së COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi, që nga data 13 mars kur ishin raportuar rastet e para me këtë virus në vend.

Doganat e Kosovës, rreth 75 milionë euro më pak të hyra doganore

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, tha për Radion Evropa e Lirë se në periudhën janar –korrik ka pasur rënie të të hyrave në vlerë prej 74 milionë euro.

“Për periudhën janar –korrik, taksat kanë pësuar ulje për 11.7 për qind më pak se vitin e kaluar. Vitin e kaluar kishim 636 milionë euro, kurse gjatë këtij viti kemi 568 milionë euro. Arsyet e rënies është rënia e importit të disa produkteve si dhe rëniet në berzat ndërkombëtare të çmimit të naftës”, thotë Stavileci.

Sipas buxhetit të Kosovës, i cili kap vlerën prej mbi 2 miliardë euro, Doganat e Kosovë për arkën e shtetit për vitin 2020 duhet të grumbullojë mbi 1,2 miliard euro, ndërsa nga Administrata Tatimore e Kosovës rreth 600 milionë euro.

ATK-ja me 23 milionë euro më pak të hyra tatimore

Grumbullimi të hyrave pas gjendjes së krijuar nga pandemia e koronavirusit, konsiderohet të jetë vështirësuar edhe në Administratën Tatimore të Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj të premten më 7 gusht, gjatë prezantimit të të dhënave të këtij institucioni, ka bërë të ditur se në vitin 2020 janë mbi 23 milionë euro më pak të hyra të mbledhura nga ky institucion.

Sipas të dhënave të ATK-së, në gjashtëmujorin e vitit 2019 të hyrat tatimore në Kosovë kanë qenë në vlerë prej 239.5 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2020 janë mbledhur 215.9 milionë euro.

“Realizimi i të hyrave tatimore deri më 30 qershor, 2020 kapë vlerën prej 215,9 milionë euro. Vlen të theksohet se inkasimi i të hyrave nga fillimi i këtij viti deri më 18 mars 2020, ka qenë në përputhje me planifikimet e parapara, mirëpo pas kësaj date është vërejtur një trend i uljes së të të hyrave, duke pas parasysh efektet që ka dhënë COVID-19, si dhe vendimet për shtyrje të afatit të pagesës së detyrimeve tatimore dhe kontribute pensionale.”, thotë Muretzaj.

Parashikimet e qeverisë flasin për mbi 200 milionë euro më pak të hyra në këtë vit

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami i pati thënë Radios Evropa e Lirë se sipas parashikimeve do të ketë rënie të madhe të të hyrave të rregullta të buxhetit.

Sipas saj, gjatë vitit 2020 do të ketë 232 milionë euro më pak të hyra.

Ligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, të cilit i ishte bërë rishikim për shkak të mobilizimit të mjeteve financiare për të mbuluar pasojat që janë shkaktuar nga pandemia, ka mbuluar mungesën e të hyrave tatimore, prej 232 milionë eurosh.

Përveç, humbjeve në vlerë prej rreth 100 milionë euro që janë shkaktuar nga mungesa e mbledhjes së të hyrave tatimore dhe doganore, dëmet e sakta të tjera ekonomike ende nuk janë të evidentuara.

Por, nga parashikimet e bëra të institucioneve ndërkombëtare dhe ekspertëve, bëhet fjalë për dëme të mëdha.

Banka Botërore dhe Fondi Monetarë Ndërkombëtare kanë parashikuar tkurrje të ekonomisë së Kosovës në vitin 2020 për mbi 5 për qind.

Ndërkaq, sipas kryetari të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi nëse Kosova do të ketë tkurrje ekonomike deri në 7 për qind, humbjet mund të sillen jo më pak se 500 milionë euro në Bruto Produktin Vendor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG