Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës diskutoi projektligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së


Ilustrim.
Ilustrim.

Kuvendi i Kosovës ka nisur të premten shqyrtimin e Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas propozimit që i është bërë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Megjithatë projektligji nuk është vënë për votim, për shkak të mungesës së kuorumit.

Seanca e radhës e Kuvendit pritet të mbahet të enjten e javës së ardhshme.

Propozuesi i këtij projektligji, Gazmend Bytyçi, ka thënë ky projektligj është shumë i rëndësishëm për të vlerësuar të kaluarën.

“Jemi të vetëdijshëm se ndoshta nuk është ligji më i mirë por qëllimi është më shumë se i mirë”, ka thënë ai para deputetëve.

Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se ky projektligj ka të meta, mangësi dhe shtrembërim të historisë së luftës së UÇK-së.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se përkrah miratimin e këtij dokumenti në lexim të parë, ndonëse ka kërkuar që të bëhen disa ndryshime në lexim të dytë.

Komuniteti ndërkombëtar, i brengosur lidhur me projektligjin për UÇK-në

Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Vlerë e luftës, sipas këtij projektligji, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK-ja, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Politike, shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.

Projektligji parasheh respektimin e vlerave të luftës, mbrojtjen institucionale, Muzeun e Luftës, Ditën e përkujtimit të luftës për çlirim, dispozitat ndëshkimore, si dhe aktet nënligjore. Në rast se projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë eurosh, pa i llogaritur edhe investimet.

Sipas ligjit, "Çdo zyrtar publik dhe qytetar i Republikës së Kosovës detyrohet t'i respektojë dhe mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me këtë ligj në çdo kohë dhe çdo rrethanë brenda dhe jashtë vendit". Gjithashtu, "me rastin e ndaljes dhe arrestimit të veteranit të UÇK-së, sipas fletë-arresteve ndërkombëtare të lëshuar nga Serbia, me motive politike, Qeveria e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme për mbrojtjen e veteranit".

Shkelja e dispozitave të këtij ligji sanksionohet sipas legjislacionit në fuqi.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Projektligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, i cili është shqyrtuar nga Kuvendi i Kosovës në seancën e së premtes, rrezikon të minojë lirinë e shprehjes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG