Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi të premten se Turqia ka rifilluar kërkimet për gaz dhe naftë në Mesdheun lindor, duke akuzuar Greqinë fqinje se ka dështuar të mbajë premtimet e saj.
"Ne kemi rifilluar veprimtarinë e kërkimit. Kemi dërguar anijen Barbaros Hayrettin në zonë", u tha Erdogan gazetarëve.
Muajin e kaluar, Turqia tha se kishte pranuar të pezullojë "për një kohë" kërkimet për naftë dhe gaz në një ishull Grek, derisa vazhdojnë negociatat mes Greqinë dhe njërin ndër vendet më me ndikim në BE, Gjermaninë.
"Ata nuk i kanë zbatuar premtimet e tyre", tha Erdogan.
Kërkimi i naftës në Mesdheun lindor ka krijuar mosmarrëveshje midis Turqisë dhe BE-së.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje që Turqia të "sanksionohet" duke e akuzuar Ankaranë për shkelje të të drejtave të Greqisë dhe Qipros, pasi që të tre vendet përpiqen të shfrytëzojnë rezervat e zbuluara së fundmi.
Ankaraja ka thënë se është e gatshme të negociojë me Athinën, por pa asnjë parakusht, raporton AFP.
Komentet e Erdoganit vijnë një ditë pasi Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje për krijimin e një zone ekonomike në Mesdheun lindor.
"Kjo marrëveshje nuk ka asnjë vlerë," tha udhëheqësi turk.
Më 23 korrik, Greqia ka thënë se do të bëjë "gjithçka që është e nevojshme" për të mbrojtur të drejtat e saj sovrane, kur bëhet fjalë për misionin e kërkimit të naftës dhe gazit në jug të ishujve grekë në Mesdheun Lindor, nga ana e Turqisë fqinje.
Turqia dhe Greqia tashmë kanë vendosur trupat e marinës në rajon.
Të dyja vendet janë anëtare të NATO.