Ndërlidhjet

Trump: Kompanitë amerikane duhet t'u japin fund lidhjeve me TikTok dhe WeChat


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar urdhra ekzekutivë që shënjestrojnë TikTok dhe WeChat, dy nga aplikacionet më të mëdha të Kinës.

Në bazë të këtyre urdhrave. pas 45 ditësh, ndalohen transaksionet e kompanive amerikane me pronarët kinezë të TikTok dhe WeChat.

Trump përmendi shqetësimet e sigurisë kombëtare. Ai tha që TikTok mund të përdoret për fushatat dezinformuese në dobi të Partisë Komuniste Kineze.

"Aplikacioni Tiktok është vlerësuar si një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin veprime agresive kundër pronarëve të TikTok", thuhet në urdhër.

Në urdhrin tjetër ekzekutiv, Trump tha se WeChat automatikisht regjistron të dhënat nga përdoruesit e tij.

"Kjo mbledhje e të dhënave përbën kërcënim pasi Partia Komuniste Kineze ka qasje në informacionet personale dhe pronësore të amerikanëve", thuhet në urdhër.

Trump në fillim të kësaj jave kërcënoi se do të mbyllte TikTok në SHBA, përveç nëse operacionet e tij amerikane shiten tek ndonjë kompani amerikane.

Kompania amerikane Microsoft ka thënë se është në diskutime për një blerje të tillë.

TikTok është veçanërisht i popullarizuar tek adoleshentët dhe audienca e re, të cilët e përdorin atë për të krijuar dhe shikuar videot e saj në formë të shkurtër. Ka rreth 1 miliard përdorues në të gjithë botën.

Kompania insiston se nuk i ndan të dhënat e përdoruesit me Pekinin dhe se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj vendimit të presidentit Trump.

Më 6 gusht, Senati amerikan votoi për të miratuar një projekt-ligj që ndalon punonjësit federalë të përdorin TikTok në pajisjet qeveritare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG