Ndërlidhjet

OKB: K.Veriore mund të ketë krijuar pajisje bërthamore për raketa balistike


Ilustrim.
Ilustrim.

Koreja Veriore është duke avancuar programin e saj të armëve bërthamore dhe disa shtete besojnë se ka zhvilluar edhe pajisje bërthamore të madhësisë së vogël, është thënë në një raport të klasifikuar të Kombeve të Bashkuara.

Raporti i hartuar nga një panel i pavarur i ekspertëve, që vëzhgon sanksionet e OKB-së në Korenë Veriore, tregon se ky shtet “mund të ketë zhvilluar pajisje të vogla bërthamore për t’ua bashkëngjitur kokave bërthamore të raketave të saj balistike”.

Agjencitë e lajmeve, Reuters dhe dpa kanë raportuar fillimisht për këto të gjetura, duke thënë se raporti i është dërguar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 3 gusht, dhe se vlerësimet janë bazuar nga informacionet e dhëna prej një vendi anëtar.

Në të gjetura është thënë se Koreja Veriore vazhdon të zhvillojë programin bërthamor, përfshirë prodhimin e uraniumit të pasuruar dhe ndërtimin e një reaktori eksperimental me ujë të lehtë.

Koreja Veriore deri më tani ka kryer gjashtë testime bërthamore, të fundit në shtator të vitit 2017.

Lideri verikorean, Kim Jong Un ka thënë javën e kaluar se armët bërthamore i garantojnë siguri këtij shteti.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri verikorean janë takuar tri herë prej vitit 2018, mirëpo të dyja palët kanë dështuar në arritjen e përparimit në negociata.

SHBA-ja dëshiron që Phenjani të heqë dorë nga armët bërthamore, derisa Koreja Veriore kërkon të mos jetë e sanksionuar.

Territori verikorean është subjekt i një vargu sanksionesh të OKB-së prej vitit 2006, për shkak të programit bërthamor dhe atij balistik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG