Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës miraton një varg masash kundër koronavirusit


Prishtinë
Prishtinë

Qeveria e Kosovës mori vendim të martën mbrëma për disa masa të reja, që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Masat kryesisht kanë të bëjnë me kushtet e hyrjes në Kosovë, me kufizimin e lëvizjes në disa komuna, me veshjen e maskave dhe me tubimin e numrit të caktuar të njerëzve.

Me vendimin e ri, të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, të cilët hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të dëshmojnë se janë të shëndoshë nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, me anë të testit RT-PCR, sipas parimit të reciprocitetit.

Përjashtim nga kjo masë bëjnë disa kategori, përfshirë: personat që hyjnë tranzit nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëar “Adem Jashari”; personat që hyjnë në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”; transportuesit profesionistë (vozitësit); personat që hyjnë me transport të organizuar me autobusë ose linjë të rregullt ndërkombëtare tranzite, si dhe diplomatët e shteteve të rajonit, të cilët janë të akredituar në Kosovë, ashtu sikurse edhe familjarët e tyre.

Me vendimin e qeverisë, duke filluar nga ora 22:30 deri në orën 05:00 po ashtu ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë, përveç në raste të caktuara, si: urgjenca shëndetësore, nevoja për t’u kujdesur për të sëmurë, kërkimi i ndihmës nga institucionet përkatëse, vdekja e anëtarit të familjes.

Vendimi i obligon të gjithë banorët e Republikës së Kosovës që t’i bartin maskat në fytyrë në të gjitha veprimtaritë jashtë shtëpive/banesave të tyre dhe të mbajnë distancë fizike prej dy metrash në mjedise të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre.

Po ashtu ndalohen të gjitha tubimet publike, përfshirë ahengjet familjare private, si dhe grumbullimi i më shumë se pesë personave në sheshe publike, parqe e të tjera.

Pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës ndalohet gjithashtu.

Nga subjektet që ofrojnë transport publik (autobusë, kombi, taksi) kërkohet që të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin, për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.

Subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës etj.), u ndalohet funksionimi nga ora 22:30 deri në 05:00, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura, duke respektuar largësinë prej dy metrash ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet take-away (merre me vete), thuhet në vendim.

Po sipas vendimit, ushtrimi i veprimtarisë së çerdheve publike dhe private në tërë territorin e Republikës së Kosovës do të lejohet pas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet komunale.

Vendimi u tha se hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit, me përjashtim të pikës 8 - ku parashihet ndalimi i veprimtarive rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës - e cila hyn në fuqi më 30 korrik, 2020.

Vendimi vjen pasi të hënën në Kosovë u regjistrua numër rekord i rasteve të të infektuarve me koronavirus, përkatësisht 276.

Të martën, numri i përgjithshëm i tyre u rrit edhe për 239, përkatësisht në 7,652.

Prej tyre, gjithsej 192 pacientë kanë humbur jetën, ndërsa 4,129 janë shëruar.

  • Për më shumë detaje nga vendimi, Radio Evoropa e Lirë ju fton të përcillni informacionin e shpërndarë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës në këtë vegëz.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG