Drejtuesit e Ministrisë së Arsimit thonë se po bëjnë përgatitjet e fundit para se të dalin me zgjidhjen konkrete për vitin e ri shkollor në shtator, që do të bazohet në rekomandimet e institucioneve shëndetësore për mbrojtje nga sëmundja COVID-19, dhe të ekspertëve të fushës për mbarëvajtjen e mësimit.
Vendimi për mbylljen e shkollave fillore, të mesme dhe fakulteteve në Maqedoninë e Veriut u mor më 10 mars, pas rritjes së rasteve me koronavirusin e ri, ndërsa nga 25 marsi nisi mësimi nga distanca përmes platformave të ndryshme të internetit.
"Deri më 10 gusht do të jenë gati të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me procesin mësimor. Nuk ka nevojë për panik. Po punohet me intensitet. Kemi disa zgjidhje se si të zhvillohet mësimi, vetëm se ato duhet të harmanizohen që të kemi variantin më të mirë për mbarëvajtjen e procesit. Pra, nuk jemi vonë me përgatitjen, pasi veç kemi një pasqyrë të gjendjes, numrin e klasave, numrin e nxënësve, ndërkohë që po kërkojmë zgjidhje edhe për ato paralele që kanë numër të madh të nxënësve. Kështu që të gjitha ato aspekte po merren parasysh”, ka deklaruar zëvendësministrja e Arsimit, Elizabeta Naumovska.
Nga shumë zgjidhje që janë në shqyrtim, përparësi po i jepet kthimit të nxënësve në klasa, zgjidhje kjo më e pranueshme, që të ketë mësim më efikas, zgjidhje që vlerësohet e mirë edhe për aspektin psikologjik të fëmijëve, që sipas ekspertëve, por edhe faktorëve të tjerë, duhet të kenë kontakt me shkollën, mësimdhënësit dhe shokët.
"Mësuesit, drejtorët dhe prindërit kërkojmë që të bëjmë çmos për kthimin e nxënësve në klasa. Asgjë nuk mund ta zëvendësojë mësimin me praninë fizike. Ne do të bëjmë gjithçka që këtë ta realizojmë, pra të mundësojmë praninë fizike të nxënësve në shkolla", thotë zëvendësministrja e arsimit, Naumovska.
Ekspertët thonë se mësimi në distancë nuk ka dhënë rezultatet e pritura, andaj edhe duhet bërë gjithçka që mësimi të nisë në shkolla, në turne apo me përgjysmim të numrit të nxënësve, pasi në të kundërtën, pasojat në arsim do të jenë të rënda.
“Mësimi në shkollë dallon shumë nga mësimi në distancë. Në mësimin direkt nxënësi e ka përpara mësuesin dhe kërkon zgjidhje prej tij. Mësimi në largësi që mbahet te ne, nuk është në realitet mësim që quhet mësim në largësi sepse mbahet përmes platformave të ndryshme... mendoj se shumë ekspertë duhet të japin mendimin e tyre si të organizohet viti shkollor, si të fillojë viti shkollor, si të koncentrohet përmbajtje mësimore në një lëmi të caktuar”, thotë Xheladin Murati, profesor i pedagogjisë.
Mësimi në distancë për shumë nxënës ishte i paarritshëm edhe për shkak të kushteve, pasi ka zona që nuk kanë qasje në internet dhe kjo e bënë të pamundur realizimin e mësimit, thonë disa mësimdhënës.
Ministria e Arsimit, por edhe donatorë të ndryshëm ofruan karta interneti për fëmijët në nevojë, por edhe kjo nuk rezultoi me sukses për shkak të humbjes së kohës në evidentimin dhe pajisjen e fëmijëve me karta.
“Ne kemi nxënës të cilët nuk kanë rrjet të internetit nëpër shtëpitë e tyre. Duke marrë parasysh këtë, nuk do të ketë interesim për mësim nga nxënësit dhe kjo do të ketë pasoja të mëdha. Nëse kjo shihet nga aspekti edukativo-arsimor, në arsimin fillor ku bazat i marrin nxënësit për shkollim të mëtutjeshëm, besoni se humbjet do të shumë të mëdha. Mirëpo, nxënësit është shumë vështirë që ta kapin të arriturën, do të thotë, ne çka presim nga nxënësit do të jetë shumë keq”, thotë Suzana Jakupi, mësimdhënëse në arsimin fillor.
Për dallim nga arsimi fillor dhe i mesëm, gjendje më e mirë paraqitet në arsimin universitar për shkak të moshës së studentëve, por edhe faktin se shumë fakultete edhe para pandemisë e kanë pasur të zhvilluar mësimin nga distanca. Problem edhe këtu mbetet mosmbajtja e praktikës, sidomos për drejtimet shkencore.