Ndërlidhjet

Mungesa e aftësive digjitale vështirëson mësimin online në Maqedoninë e Veriut


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat, 64 për qind e të rinjve nga mosha 16 deri në 24 vjeç në Maqedoninë e Veriut, disponojnë aftësi digjitale.

Kroacia është shteti në rajon, të rinjtë e së cilës, kanë përqindjen më të madhe të aftësive digjitale, përkatësisht 97 për qind.

Këto të dhëna për ekspertët e teknologjisë informative, paraqesin alarm, pasi sipas tyre, të rinjtë në Maqedoninë e Veriut nuk po iu përgjigjen sfidave të kohës, kur aftësitë digjitale janë të rëndësishme në ngritjen personale. Megjithatë, ata theksojnë se pandemia e koronavirusit ka nxjerrë në pah rëndësinë e përdorimit të teknologjisë, sa i përket procesit edukativo-arsimor, në mesin e të rinjve.

Filip Stojanovski nga fondacioni për internet dhe shoqëri, “Metamofoziz”, thotë për Radion Evropa e Lirë se është shqetësues fakti që të rinjtë në Maqedoninë e Veriut janë poshtë mesatares së vendeve evropiane, ku 80 për qind e të rinjve kanë njohuri digjitale.

“Vërtet ka nevojë për reforma të thella në sistemin arsimor, në mënyrë që përqindja e të rinjve që disponojnë shkathtësi, përkatësisht aftësi të ndryshme digjitale të rritet, në mënyrë që të arrijë nivelin e mesatares së vendeve evropiane ku 80 për qind e të rinjve kanë aftësi digjitale. Kjo është e nevojshme që mos ndodh sërish, që pjesa më e madhe e të rinjve pasi të kryejnë vitin shkollor, të shprehen se kanë mbetur të pakënaqur nga mësimi online”, thotë Stojanovski.

Naser Miftari, që është pjesë e projektit “Shkolla dhe të mësuarit në shekullin XXI”, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata e krijuar pas shpërthimit të pandemisë, paraqet kambanë alarmi për institucionet, që sa më parë të veprojnë në drejtim të ngritjes së kapaciteteve në sistemin e arsimit për sa i përket aftësive digjitale, duke filluar nga shkollat fillore, ato të mesme, e deri në arsimimin universitar.

“Të gjitha statistikat flasin se kjo gjendje në të cilën ndodhemi, kërkon një qasje shumë më serioze në drejtim të edukimit dhe arsimimit të gjitha brezave që janë të përfshira në procesin edukativo-arsimor”, thotë Miftari.

Ndërkaq, Bojan Kordallov, specialist i marrëdhënieve me publikun dhe mediave të reja, problematike e sheh tendencën që digjitalizimi nga ana e qytetarëve po shihet si teori konspirative dhe jo si diçka që do t’ua lehtësojë jetën dhe rrit cilësinë e shërbimeve.

“Te ne vërehet rezistenca ndaj digjitalizimit, si nga ana e institucioneve ashtu edhe nga ana e qytetarëve, si diçka që është në interesat e përgjithshëm dhe jo si teori konspiracioni. Kjo është e para dhe më e rëndësishme.Dhe e dyta ka të bëjë me angazhimin e të gjitha institucioneve publike të pushtetit vendor dhe atij qendror, që t’u mundësojnë qytetarëve aplikacione konkrete, platforma konkrete për të realizuar shërbime të caktuara, që ata të shohin se digjitalizimi i plotë nuk ka të bëjë me teori konspiracioni, por si diçka që ua lehtëson rrugën për të marrë shërbime cilësore në një afat të shkurtër kohor”, thotë Kordallov.

Ndryshe, nga Ministria e Arsimit të Maqedonisë së Veriut bëjnë të ditur se janë duke përpiluar një plan të veprimit, në bazë të së cilit, do të ketë më shumë modele për organizimin e mësimit gjatë vitit të ri shkollor, që nis në shtator. Ndër mundësitë do të jenë edhe ndjekja e procesit arsimor përmes programeve të shkurtuara arsimore, zvogëlim të numrit të nxënësve nëpër klasa, ndjekja e mësimit me turne. Por, theksi i këtij plani të Ministrisë, është vendosur në mësimin online.

Hulumtimi që ka realizuar Eurostat ka nxjerr në pah se mbi 80 për qind e të rinjve të moshës nga 16 deri 24 vjeç në vendet e Bashkimit Evropian disponojnë aftësi digjitale. Ky hulumtim i referohet të dhënave të marra gjatë vitit 2019.

Nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Kroacia me 97 për qind ka përqindjen më të lartë të të rinjve me aftësi digjitale radhitet e para, pasuar nga Estonia, Lituania dhe Holanda dhe Greqia.

Nga ana tjetër, me përqindjen më të ulët e të rinjve që posedojnë aftësi digjitale është Luksemburgu, Letonia, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania.

Nga vendet e rajonit, Bullgaria ka përqindjen më të ulët të të rinjve nga 16 deri në 24 vjeç me aftësi digjitale – 58 për qind, ndërsa Serbia me79 për qind. Për Shqipërinë dhe Kosovën nuk ka të dhëna.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG