Një propozim-rezolutë për Telekomin e Kosovës, e iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të marrë mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Për këtë propozim-rezolutë votuan vetëm 29 deputetë për, vota këto të pamjaftueshme për miratim.
Kuvendi i Kosovës të enjten debatoi për situatën e krijuar në Telekomin e Kosovës, ku kësaj kompania tashmë i janë bllokuar xhirollogaritë.
Në projekt rezolutë, thuhet se “Kontrata Dardafon- Telekom e vitit 2009, ka elemente të mjaftueshme për tu hetuar penalisht".
"Qeveria të zbatojë vendimin mbi masat për parandalimin e keqpërdorimeve në ndërmarrjet publike, si dhe të shqyrtojë mundësinë e plotësimit të tyre. Qeveria të ndërmarrë masa konkrete për të mbrojtur Telekomin nga kreditorët e pandërgjegjshëm më qëllim të stabilitetit financiar të Telekomit të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje”, thuhej ndër të tjera në rezolutën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk kaloi.
Xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës u bllokuan më 15 korrik, për rastin e Arbitrazhit ndërkombëtar me operatorin ekonomik Dardafon, në kuadër të së cilit është edhe shërbimi telefonik i njohur me emrin Z-Mobile.
Telekomi i Kosovës dhe Kompania Z-Mobile në vazhdimësi kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me një kontratë të nënshkruar dhjetë vjet më parë, kontratë kjo e cila i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile të operatorit mobil Vala, që funksionon në kuadër të Telekomit të Kosovës.
Mospajtimet mes palëve kishin nisur kur Z-Mobile kërkoi numeracion shtesë. Çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile. Borxhi Telekomit të Kosovës ndaj Z-Mobile llogaritet mbi 25 milionë euro.