Ndërlidhjet

Kosovë: Sistemi i arsimit nuk iu përgjigjet kërkesave të tregut të punës


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Sistemi aktual i arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë, nuk iu përgjigjet nevojave dhe kërkesave të tregut të punës në vend, thuhet në një raport të publikuar të mërkurën nga Zyra Kombëtare e Auditorit në Kosovë.

Në raportin e titulluar “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”, thuhet se institucionet përgjegjëse në Kosovë nuk kanë arritur të ofrojnë mundësi efektive për përvetësimin dhe zhvillimin e aftësive dhe shkathtësive.

Po ashtu, raporti vë në pah se institucionet përgjegjëse të arsimit nuk kanë siguruar se janë krijuar kushtet e nevojshme për zbatimin e formave duale të arsimit, kushte këto që mundësojnë realizimin e mësimit praktik në ambientet e shkollës dhe praktikës profesionale në biznese.

Sipas këtij raporti, e gjithë kjo është pamundësuar për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme në shkolla, mungesës së kabineteve apo punëtorive, problemeve me pajisjet aktuale, mungesës së materialit shpenzues, etj.

“Pavarësisht përpjekjeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe të akterëve relevantë për të rishikuar kurrikulat e profileve të arsimit dhe aftësimit profesional dhe për t’i bazuar ato në zhvillimin e standardeve të profesionit, ky qëllim nuk është arritur. Kjo për faktin se, një pjesë e konsiderueshme e kurrikulave nuk janë rishikuar ende dhe një numër shumë i kufizuar i institucioneve të arsimit dhe aftësimit profesional janë duke zbatuar kurrikulat e rishikuara”, thuhet në një njoftim për media të lëshuar nga Zyra Kombëtare e Auditorit.

Po ashtu, mësimi praktik në punëtoritë e institucioneve të arsimit dhe aftësimit profesional si dhe praktika profesionale në biznese, janë realizuar me vështirësi dhe ngecje të mëdha.

Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë në vazhdimësi kanë ngritur shqetësim lidhur me atë se sistemi aktual i arsimit dhe aftësimit profesional nuk i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të tregut të punës.

Papunësia ndërkaq, vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha që e ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit.

Në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2019, thuhet se papunësia në Kosovë është 25.7 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG