Ndërlidhjet

BE arrin marrëveshje për fondin e rimëkëmbjes nga pandemia


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen dhe Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen dhe Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord për një paketë të ndihmës ekonomike, në vlerë prej 750 miliardë eurosh, për të ndihmuar vendet në periudhën e pas pandemisë së koronavirusit.

Marrëveshja u arrit në ditën e katërt të bisedimeve në Bruksel, të cilat u përcollën me mospajtime rreth shpërndarjes së fondeve.

Liderët e BE-së u dakorduan që fondi të dërgohet si kredi dhe grante në vendet e goditura më së keqi nga koronavirusi.

Ata po ashtu u pajtuan për një buxhet të paparë të BE-së, në vlerë prej 1.1 trilion eurosh, për shtatë vjetët e ardhshëm.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, shkroi në Twitter: “Marrëveshje”.

Ai po ashtu tha se blloku "ka treguar përgjegjësi kolektive... dhe besimin tonë për një të ardhme të përbashkët".

"Sot kemi ndërmarrë një hap historik, me të cilin të gjithë mund të jemi krenarë. Por, mbeten hapa të tjerë të rëndësishëm. I pari dhe më i rëndësishmi është të fitojmë mbështetjen e Parlamentit Evropian”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e cilësoi marrëveshjen si “ditë historike për Evropën”, ndërsa kryeministrja belge, Sophie Wilmes, tha se “BE-ja, asnjëherë më parë, nuk ka investuar kështu në të ardhmen”.

Michel, më herët, shprehu besimin se kompromiset që ai u ka ofruar 27 udhëheqësve të BE-së, do të sillnin marrëveshje për paketën e kredive dhe granteve, që do të ndihmonte daljen e Evropës nga recesioni, që i ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

Michel, i cili kryesoi bisedimet, u tha udhëheqësve të BE-së se është përgjegjësi e tyre që të qëndrojnë së bashku në kohë të krizës.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel gjatë samitit të BE-së.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel gjatë samitit të BE-së.

Samiti nisi më 17 korrik dhe parashihej të zgjaste dy ditë, por ai u zgjat dy herë, pasi blloku përpiqej të arrinte marrëveshje edhe për ndihmën pandemike, edhe për buxhetin e përgjithshëm.

Sipas propozimit të Michelit, 390 miliardë euro nga paketa e ndihmës do të ndahen në formë grantesh dhe 360 miliardë euro në formë kredie.

Ky është një rishikim i propozimit fillestar për 500 miliardë euro grante dhe po ashtu kompromis midis Austrisë, Holandës, Danimarkës dhe Suedisë, që i kundërshtuan pagesat si grante, dhe Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës – tri shtetet e fundit janë ndër më të goditurat nga koronavirusi në Evropë.

Një tjetër pengesë për arritjen e marrëveshjes u hoq kur Polonia dhe Hungaria ranë dakord me përfshirjen e një mekanizmi që lidh pagesën e fondeve të BE-së me sundimin e ligjit – një term që u referohet ligjeve mbrojtëse për lirinë e fjalës dhe gjyqësorin e pavarur.

Sipas planit, Komisioni Evropian do të propozojë masa që do të merren nëse zbulohet se ka rrëshqitje nga demokracia. Masat do të miratoheshin nga vendet e BE-së, me shumicë të kualifikuar.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG