Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka dhënë detaje sa i takon vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Në një konferencë për media, kryeministri Hoti ka bërë të ditur se është paraparë një takim për këtë javë në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, e ku sipas tij, do të diskutohet për draftimin e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë takim, Kosovën do ta përfaqësojë koordinatori për dialogun, të cilin kryeministri Hoti tha se do ta emërojë shumë shpejt.
“Të enjten është një takim tjetër në Bruksel ku do të jetë prezent koordinatori shtetëror për dialog të cilin do ta emëroj së shpejti, për të biseduar dhe për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke. Ky është objektivi ynë i vetëm në këtë proces”, deklaroi Hoti.
Përkundër faktit se edhe Bashkimi Evropian tha se do të jetë takim i nivelit teknik, Hoti përjashtoi çdo mundësi që të ketë rinisje të procesit teknik të dialogut me Serbinë.
Synim kryesor i Kosovës në këtë proces, sipas kryeministrit Hoti, është njohja reciproke.
“Dialog teknik nuk ka. Ka dialog vetëm politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, deklaroi Hoti.
Kryeministri Hoti ka njoftuar po ashtu se ka dërguar ftesa për një takim të liderëve të partive politike në Kosovë si dhe se ka dërguar shkresë në Kuvendin e Kosovës me kërkesë për t’i informuar deputetët për procesin e dialogut në Bruksel.
Në takimin që pritet të mbahet këtë javë në Bruksel, është thënë se do të bisedohet për dy tema kryesore, të pagjeturit si dhe çështje të ekonomisë. Tek ekonomia, kryeministri Hoti ka thënë se përfshinë dëmet e luftës, pensionet, shkatërrimin e pronës private gjatë luftës si dhe çështje të tjera.
Këto komente Hoti i bëri pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulëzim Basha i cili po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë.
Basha dha mbështetje për procesin e dialogut, në ndërkohë që premtoi se në rast të ardhjes në pushtet në Shqipëri, do ta heqë taksën prej 5 eurosh për atë që njihet si “Rruga e Kombit”.