Ndërlidhjet

Edhe pas tre ditësh diskutime, BE-ja ende pa marrëveshje për planin e rimëkëmbjes


Takimi i liderëve të BE-së më 17 korrik, 2020
Takimi i liderëve të BE-së më 17 korrik, 2020

Drejtuesit e Bashkimit Evropian dështuan edhe të dielën të arrijnë një marrëveshje mbi një paketë të rimëkëmbjes ekonomike.

Negociatat pritet të vazhdojnë të hënën.

Samiti, i cili ka filluar më 17 korrik, ishte planifikuar të zgjasë dy ditë, por në mungesë të një marrëveshjeje, liderët e BE-së janë pajtuar t’i zgjasin bisedimet.

Kryesuesi i samitit, Charles Michel, u tha 27 udhëheqësve të BE-së se më shumë se 600,000 njerëz kanë vdekur si rezultat i koronavirusit në të gjithë botën, dhe se ishte përgjegjësia e tyre të qëndrojnë së bashku në këtë kohë të krizës.

"Shpresa ime është që ne të arrijmë një marrëveshje dhe që lajmi nesër të jetë se BE-ja e ka realizuar misionin", tha presidenti i Këshillit Evropian.

Në takimin e 18 korrikut, tensionet u rritën kur kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron u larguan nga mbledhja, së bashku me katër shtete të pasura, me qëllim që të gjenin kompromis mbi kufizimet që duhen vendoset për grantet dhe për kriteret ndaj shteteve që do të marrin grante për të tejkaluar krizën ekonomike që është shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Çështja kryesore është se sa pjesë të fondit të rikuperimit do të shpërndahen si grante dhe sa si kredi.

Plani i rimëkëmbjes, i cili mbështetet nga Franca dhe Gjermania, aktualisht parasheh 500 miliardë euro grante dhe subvencione dhe 250 miliardë euro kredi.

Shtetet me më shumë kursime, si Austria, Suedia, Danimarka dhe Finlanda, duan kontroll mbi mënyrën e shpërndarjes së parave.

Shtetet e jugut, si Italia dhe Spanja, thonë se një gjë e tillë do ta bllokonte procesin.

Banka Qendrore Evropiane ka parashikuar tashmë rënie prej 8.7% të ekonomisë së Eurozonës këtë vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Udhëheqësit po përpiqen gjithashtu të përcaktojnë një buxhet të BE-së për vitet 2021-27 në shumën 1 trilion euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG