Ndërlidhjet

KMDLNJ kërkon që personat e kontaktit të testohen për COVID-19


Doktorët në QKUK duke u përkujdesur për të infektuarit me koronavirus.
Doktorët në QKUK duke u përkujdesur për të infektuarit me koronavirus.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga autoritetet që testimet për koronavirus, të bëhen në bazë të nevojave dhe jo në bazë diskriminuese.

KMDLNJ përmes një reagimi tha se kupton se për shkak të numrit të vogël të testeve, autoritetet nuk mund të kryejnë testime në shkallë të gjerë. Por, sipas këtij Këshilli, personat që kanë anëtarë të familjes të konfirmuar pozitivë me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, duhet të testohen.

“Për KMDLNJ është e papranueshme, e pakuptueshme dhe e dënueshme, si nga aspekti i të drejtave të njeriut ashtu edhe atij ligjor nëse nuk bëhen testet, madje të detyrueshme në rastet si: kur në një familje ka të prekur nga COVID-19 ndërsa anëtarët që jetojnë me ta nuk iu bëhen testet; kur ka raste që në të njëjtën familje ka anëtarë me sëmundje të rënda kronike; kur simptomat janë të qarta se janë të të prekur nga virusi”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.

Ky këshill po ashtu ka kërkuar nga autoritetet shëndetësore që të tregojnë saktë shkakun e vdekjes së personave të prekur me COVID-19, me qëllim që të mos shkaktohet huti në opinion.

“Arsyetimi i autoriteteve shëndetësore se i vdekuri nga COVID-19 ka pasur sëmundje tjera përcjellëse, të rënda dhe kronike, shkakton huti në opinion aq më parë që nuk po përcaktohet shkaku i vërtetë i vdekjes”, thuhet në reagim.

KMDLNJ ka kërkuar që të rritet numri i testimeve, ndërkaq nga Qeveria e Kosovës ka kërkuar po ashtu që të ndajë mjete shtesë si për blerjen e testeve të reja, por edhe për punëtorët shëndetësorë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike së fundmi ka thënë se do të testojë vetëm ata persona që kanë simptoma të theksuara të sëmundjes COVID-19.

Autoritetet në Kosovë kanë njoftuar po ashtu se mëtojnë të blejnë 100,000 mijë teste virologjike dhe serologjike për koronavirus.

Deri më tani, vetëm Instituti ka qenë i autorizuar të kryejë teste virologjike për koronavirus, por përmes një udhëzimi administrativ, Ministria e Shëndetësisë, këtë javë ka njoftuar se teste për koronavirus do të mund të bëjnë edhe institucionet private shëndetësore.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë janë regjistruar 5,617 raste me COVID-19. Nga ta, 130 pacientë kanë vdekur dhe 2,811 janë shëruar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG