Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të takohen të dielën, në përpjekje për të arritur një marrëveshje mbi buxhetin shtatëvjeçar të bllokut, që kap shifrën e 1,85 trilion eurove.
Ky do të jetë takimi i tretë i liderëve të BE-së, pasi në dy ditët paraprake, ata dështuan që të arrinin një pajtim.
Zyrtarët thonë se arritja e marrëveshjes duhet e largët teksa liderët e 27 vendeve do të takohen në Bruksel, ku fillimisht kishin paraparë të mbanin një samit dyditor, por për shkak se nuk arritën pajtim për buxhetin, ky samit u zgjat edhe për një ditë.
Megjithatë, disa shtete kanë thënë se janë në drejtimin e duhur dhe kanë shprehur besimin se një marrëveshje mund të arrihet.
Në takimin e 18 korrikut, tensionet u rritën kur kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron u larguan nga mbledhja, së bashku me katër shtete të pasura, me qëllim që të gjenin kompromis mbi kufizimet që duhen vendoset për grantet dhe për kriteret ndaj shteteve që do të marrin grante për të tejkaluar krizën ekonomike që është shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
“Disa njerëz u larguan”, tha kryeministri i Holandës, Mark Rutte, i cili është në mesin e katër shteteve që po kërkojnë kushte më strikte për dhënien e ndihmës në formë të granteve dhe borxheve.
Liderët e BE-së po ashtu po diskutojnë edhe një plan të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë.
BE-ja ka propozuar që ky fond të jetë në vlerë prej 750 miliardë eurosh dhe do t’u jepet shteteve më të goditura nga pandemia në formë të borxheve dhe granteve.