Ndërlidhjet

Viola von Cramon: Gjykata Speciale, gurthemel i sundimit të ligjit në Kosovë


Eurodeputetja Viola von Cramon.
Eurodeputetja Viola von Cramon.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha më 17 korrik se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë, paraqesin gurthemelin e Kosovës në detyrimet e saj ndërkombëtare dhe ndërtimin e sundimit të ligjit.

“Institucione të rëndësishme për sjelljen e drejtësisë në Kosovë dhe për të mbajtur përgjegjës ata individë për të cilët besohet se kanë kryer krime lufte, pavarësisht kombësisë së tyre”, tha eurodeputetja, Viola von Cramon, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ku njoftoi për një vizitë që e ka zhvilluar të premten në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, janë formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, përmes ndryshimeve kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata është themeluar pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara "të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Deri më tani prokurorët kanë intervistuar qindra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë katër ditëve të kaluara në Hagë është intervistuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas daljes nga Prokuroria më 16 korrik, Thaçi deklaroi se ka dhënë dëshminë e tij dhe se pret që prokurori dhe gjykatësi të vendosin në mënyrë profesionale për dëshminë e tij.

Thaçi është ftuar në Hagë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se, më 24 prill, ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër tij, kundër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se "Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG