Ndërlidhjet

Pacientët me kancer: Shanse të njëjta nga kapja e virusit, por rrezik më të madh nga sëmundja


Pacientët me kancer dhe koronavirusi
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Pacientët me kancer dhe koronavirusi

Mikkael Sekeres, mjek specialist për leukeminë akute në Shtetet e Bashkuara, thotë se pacientët me kancer kanë shanse të njëjta sikurse edhe njerëzit e tjerë që të kapin koronavirusin, por rreziku për t’u sëmurë rëndë te ta është shumë më i lartë. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se gjasat e tyre që të sëmuren rëndë, madje edhe të vdesin, janë ndoshta pesë herë më të mëdha.

Sekeres, i cili është autor i librit “When blood breaks down – Life lessons from leukemia” [Kur gjaku prishet – Mësime jetësore nga leukemia], po ashtu tërheq vërejtjen se situata e krijuar me koronavirus ka shtyrë diagnostikimet e kancerit, sëmundjes që “është aq e frikshme ose më e frikshme se COVID-19”.

Radio Evropa e Lirë: Doktor Sekeres, ju punoni në Departamentin e Hematologjisë dhe të Mjekësisë Onkologjike në Klinikën Cleveland, në Ohajo të Shteteve të Bashkuara. Cila është ajo këshilla e parë, kryesore, që u jepni pacientëve tuaj me kancer, në këtë kohë të pandemisë së koronavirusit?

Përse koronavirusi i “kursen” fëmijët?

Mikkael Sekeres: Unë kam specializuar për leukeminë akute dhe një nga pacientët e mi më ka thënë se duket sikur e gjithë bota ka leukemi, për shkak të kujdesit që gjithkush duhet të bëjë për t’u mbrojtur nga COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi]. Mendoj se ka pasur shumë të drejtë.

Kur unë flas me pacientët e mi, u jap shumë këshilla të ngjashme që u kam dhënë për kohë të gjatë. Secili me sistem të cenueshëm imunitar, e di se, kur del në publik, duhet të veshë maskë, të jetë vazhdimisht i vëmendshëm ndaj gjithçkaje që prek dhe më pas të lajë duart apo të përdorë dezinfektues, si dhe të jetë i kujdesshëm ndaj kontakteve përreth. Pra, këshillat që japim tani për secilin janë të njëjta me ato që u japim njerëzve, të cilëve kanceri ua ka goditur sistemin imunitar.

Radio Evropa e Lirë: Por, shumë pacientë me kancer e kanë aq të brishtë sistemin imunitar për shkak të trajtimeve. A ka ndonjë masë të veçantë që ndiqni apo që duhet ndjekur?

Mikkael Sekeres: Gjithçka që kam lexuar tregon se, edhe pse pacientët e mi nuk janë më të cenueshëm se unë apo se ju ndaj kontraktimit të COVID-19, gjasat e tyre që të sëmuren rëndë nëse e kapin virusin, madje edhe të vdesin, janë ndoshta pesë herë më të mëdha se të juajat, të miat apo të dikujt në grup-moshën e njëjtë.

Vaksina e SHBA-së kundër COVID-19 jep shenja premtuese

Andaj, kërkoj nga pacientët e mi që të vazhdojnë t’i praktikojnë gjërat e sigurta, si edhe përpara, të vazhdojnë të qëndrojnë të izoluar.

Radio Evropa e Lirë: Pra, pacientët me kancer janë në rrezik më të lartë…

Mikkael Sekeres: Ata nuk janë në rrezik më të madh nga kapja e virusit, por janë në rrezik më të madh për t’u sëmurë rëndë nëse e marrin virusin, sidomos pacientët që e kanë sistemin imunitar të prekur nga kanceri ose nga trajtimi i kancerit - për shembull, pacientët e mi me leukemi ose pacientët me kancer në mushkëri, frymëmarrja e të cilëve mund të jetë tashmë e rënduar [nga sëmundja bazë - kanceri].

Lloji i ri i COVID-19 më infektiv, a do të ketë vaksinë këtë vit?

Radio Evropa e Lirë: Të gjithë pacientët me kancer janë në rrezik apo vetëm ata që aktualisht janë në trajtim?

Mikkael Sekeres: Mendoj se ka një gradim të rrezikut. Unë kam disa pacientë që kanë një formë shumë të butë të kancerit, me të cilën kanë jetuar për vite me radhë. Pasqyra e tyre e gjakut nuk është shumë më ndryshe se e imja, sidomos sistemi i tyre imunitar. Unë nuk mendoj se ata janë në rrezik shumë të madh.

Mendoj se dikush që është mbijetues i kancerit, i cili është trajtuar muaj apo vite më parë me kimioterapi apo rrezatim, nuk është në rrezik më të madh se unë apo se ju. Pacientët që në mënyrë aktive i nënshtrohen kimioterapisë, pacientët me kancere që përfshijnë mushkëritë ose e dobësojnë sistemin imunitar dhe sidomos ata që janë në mes të terapisë, mendoj se janë në rrezik shumë të lartë që të sëmuren nëse e kapin virusin.

Radio Evropa e Lirë: Por, nëse dikush është trajtuar me kimioterapi ose rrezatim në të kaluarën, a e rrit kjo rrezikun që ata të kontraktojnë COVID-19?

Mikkael Sekeres: Marrja e kimioterapisë apo trajtimi me rrezatim, me sa dimë deri sot sepse gjërat ndryshojnë nga java në javë, nuk i vë njerëzit në rrezik më të lartë nga kapja e virusit, por nga të sëmurët si pasojë e virusit.

Radio Evropa e Lirë: Si e kalojnë këtë situatë pacientët me kancer që janë pozitivë me koronavirus?

Mikkael Sekeres: Është e frikshme. Mendoj se është e frikshme për të gjithë ne. Dikush që ka dalë pozitiv me koronavirus dhe ka kancer, ai/ajo duhet të vazhdojë trajtimin, sepse ka diagnozë të kancerit që është aq e frikshme ose më e frikshme se COVID-19. Ne duhet të vazhdojmë t’i trajtojmë për t’u shëruar nga kanceri. Ne ndërmarrim masa paraprake shtesë për t’i mbrojtur ata dhe njerëzit që kujdesen për ta.

Simptomat shpesh ngatërrohen

Radio Evropa e Lirë: Disa prej simptomave të koronavirusit, si kolla dhe temperatura, janë po ashtu simptoma të disa llojeve të kancerit. A ka rrezik që ato të ngatërrohen dhe të ketë trajtime të gabuara?

Mikkael Sekeres: Kjo është një pyetje e mirë. Unë kam shkruar një libër, i cili titullohet “Kur gjaku prishet – Mësime jetësore nga leukemia” [When blood breaks down – Life lessons from leukemia]. Aty flas për simptomat e kancerit, në veçanti të leukemisë. Dhe, simptomat mund të jenë shumë të ngjashme. Ato mund të përfshijnë të kolla, temperaturë, plogështi.

Unë tani kam trajtuar dy pacientë që kanë pasur simptoma të tilla, por që e kanë shmangur shkuarjen te mjeku nga shqetësimet që të mos ekspozohen ndaj njerëzve të tjerë me COVID-19. Përfundimisht, këta dy pacientë janë diagnostikuar me leukemi, por diagnoza është vonuar për shkak të atyre shqetësimeve.

COVID-19 transmetohet edhe përmes ajrit, a duhet ndryshuar udhëzimet?

Radio Evropa e Lirë: Pra, situata e krijuar mund t’i vonojë diagnozat për sëmundje të tjera...

Mikkael Sekeres: Absolutisht. Pra, mund të ketë konfuzion midis simptomave të të pasurit COVID-19 dhe simptomave të leukemisë për shembull. Ato nuk ngatërrohen vetëm nga pacientët, por edhe nga mjekët, sepse kur mjekët ndodhen në një dhomë të urgjencës dhe shohin shumë pacientë që kanë ose mund të kenë COVID-19, mund të vijë edhe dikush me simptoma të leukemisë dhe ato të mos dallohen.

Radio Evropa e Lirë: A mund të testohen pacientët dhe të mbijetuarit nga kanceri për të parë nëse sistemi i tyre imunitar është i cenueshëm?

Mikkael Sekeres: Sigurisht. Ne, zakonisht, kur trajtojmë dikë me kimioterapi ose rrezatim, kontrollojmë pasqyrën e tij ose të saj të gjakut, për të parë nëse sistemi i tyre imunitar është dobësuar. Mendoj se kjo është një ide e shkëlqyeshme që, kur dikush është në trajtim, të kontrollojë edhe pasqyrën e gjakut dhe të pyesë mjekun nëse sistemi i tij/i saj është i dobësuar dhe nëse duhet të marrë masa shtesë kundër kapjes së COVID-19.

Koronavirusi ka shtyrë diagnostikimin e kancerit

Radio Evropa e Lirë: Sipas një raporti të publikuar së voni nga Instituti Komodo Health, me seli në Kaliforni, kontrollimi për kancer ka rënë ndjeshëm në SHBA qysh në mes të marsit. A është shqetësuese kjo?

Mikkael Sekeres: Është jashtëzakonisht shqetësuese. Ne, në Qendrën tonë të Kancerit kemi parë se si vizitat e pacientëve të rinj kanë rënë për 40 për qind brenda një periudhe dymujore. Ata pacientë zakonisht do të referoheshin te ne nga qendrat e kujdesit parësor. Me fjalë të tjera, njerëzit nuk kanë bërë ekzaminime për kancer.

Më ekspozo ndaj koronavirusit

Një raport që ka dalë nga një ofrues elektronik i regjistrave mjekësorë ka treguar se ekzaminimi i kancerit ka rënë për 90 për qind në prill. Një tjetër raport që ka dalë nga Instituti Kaiser Health, ka treguar rënie të ngjashme, ndërsa raporti i Institutit Kombëtar të Kancerit në Shtetet e Bashkuara ka treguar se ekzaminimi për kancer ka rënë për 60%. Pra, shohim më pak diagnostikime të reja të kancerit.

Shqetësues është fakti se njerëzit që i shtyjnë ekzaminimet ose e shtyjnë shkuarjen te mjeku, edhe pse kanë simptoma që mund të jenë të kancerit, e shtyjnë edhe diagnostikimin. Dhe, në kohën kur të diagnostikohen, kanceri mund të jetë në një fazë të mëvonshme.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, ai do të mund të kapej më herët...

Mikkael Sekeres: E saktë. Ne kemi fat më të mirë në trajtimin e kancerit kur e kapim herët dhe jo vonë.

Radio Evropa e Lirë: Studimet deri më tash kanë treguar se fëmijët janë asimptomatikë ose kanë simptoma të buta të koronavirusit. Po, si e kalojnë fëmijët me çrregullime në gjak, përfshirë forma të ndryshme të leukemisë ose lloje të tjera të kancerit?

Mikkael Sekeres: Kanceri te fëmijët për fat të mirë është më i rrallë. Nuk është as afër normave që i shohim te të rriturit. Pra, shumë kancere të diagnostikuara te të rriturit, janë relativisht të rralla te fëmijët. Por, kur bëhet fjalë për fëmijët me kancer, nëse sistemi i tyre imunitar është i dobësuar, kanë rrezik më të madh nga të sëmurët me COVID-19, njësoj sikurse edhe të rriturit.

Radio Evropa e Lirë: Doktor Sekeres, keni diçka për të shtuar?

Mikkael Sekeres: Mesazhi im i fundit është se ne do të jetojmë me këtë virus për një kohë të gjatë. Sistemet e kujdesit shëndetësor tani janë në një pozitë më të mirë për menaxhimin e tij dhe kujdesin ndaj pacientëve. Mendoj se ato janë të sigurta për të shkuar. Unë nuk do t’i vonoja ekzaminimet për kancer ose vizitat te mjeku për të kontrolluar simptomat që ju shqetësojnë. Dhe, në këtë mënyrë nuk i vonojmë diagnozat dhe mund t’i trajtojmë ato në një fazë të hershme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG