Ndërlidhjet

Vuçiq: Dialogu do të vazhdojë të mërkurën në nivelin teknik


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçic tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin nuk kanë qenë të lehta. Ai tha se në këtë raund të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në Bruksel, është diskutuar për temën e personave të zhdukur dhe të zhvendosur brenda vendit si dhe ekonominë.

"Bisedimet për të zhdukurit dhe të zhvendosurit do të vazhdojnë të mërkurën tjetër në nivelin teknik", tha Vuçiq.

Vuçiq gjithashtu deklaroi se gjatë takimit, Kosova kërkoi që të hapen arkivat e policisë së Serbisë, dhe Serbia në anën tjetër ka kërkuar që Kosova të hapë arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm t'i përgjigjemi çdo kërkese të shqiptarëve. Kudo që ata mendojnë se mund të tregojnë në hartë një vend ku atyre u duket, ose ku mendojnë se është e mundur që të ketë ndonjë varrezë me shqiptarë, ne jemi të gatshëm së bashku me ta dhe me praninë e evropianëve të tregojmë nëse ka diçka apo jo. Por, ne kërkuam të njëjtën të drejtë për ne. Sepse deri më tani nuk kemi pasur qasje në Llapushnik, Gjakovë, Koshare dhe në disa lokacione të tjera", tha presidenti i Serbisë.

Edhe kryeministri Avdullah Hoti ka thënë pas bisedimeve se dialogu nuk ka qenë i lehtë.

“Ka qenë takim i vështirë. Qëndrimin tonë e kam prezentu në këtë takim dhe nuk do të lëviz asnjëherë nga ai qëndrim. Kjo është faza finale e përmbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë”, tha Hoti duke shtuar se i gjithë procesi do të marrë disa javë ose muaj, por jo më shumë.

Ky ishte takimi i parë i drejtëpërdrejtë i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit, pas më se 20 muajsh.

Më parë, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të zhvillojnë një dialog në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit.

Komentet ai i bëri para fillimit të takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Pres diskutim konstruktiv që do t’i kontribonte normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet dy vendeve”, tha Borrell në adresimin e tij.

Dialogu në Bruksel filloi në mars të vitit 2011. Ideja ka qenë të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë.

Në tetor të vitit 2012, procesi kaloi në nivelin politik.

Dialogu është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

Taksa më vonë është zëvendësuar me masa reciprociteti, por këto të fundit janë hequr me ardhjen e Hotit në pushtet, për të mundësuar, siç është thënë, vazhdimin e dialogut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG