Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se është shënuar progres në kuadër të dialogut të zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
Hoti përmendi dy tema që janë diskutuar gjatë bisedimeve: çështja e të pagjeturve dhe zhvillimi ekonomik.
“Ka qenë takim i vështirë. Qëndrimin tonë e kam prezantu në këtë takim dhe nuk do të lëvizë asnjëherë nga ai qëndrim. Kjo është faza finale e përmbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë”, tha Hoti.
Sipas tij Kosova është në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë, dhe i gjithë procesi, sipas tij do të mbyllet për disa javë ose muaj, por jo më shumë.
Ky është takimi i parë i drejtëpërdrejtë ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit, pas mëse 20 muajsh.
Më parë, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të zhvillojnë një dialog në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit.
Komentet ai i bëri para fillimit të takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Pres diskutim konstruktiv që do t’i kontribonte normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet dy vendeve”, tha Borrell në adresimin e tij.
Dialogu në Bruksel filloi në mars të vitit 2011. Ideja ka qenë të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë.
Në tetor të vitit 2012, procesi kaloi në nivelin politik.
Dialogu është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.
Taksa më vonë është zëvendësuar me masa reciprociteti, por këto të fundit janë hequr me ardhjen e Hotit në pushtet, për të mundësuar, siç është thënë, vazhdimin e dialogut.