Ndërlidhjet

Hoti dhe Vuçiq: Bisedime të vështira për personat e zhdukur dhe ekonominë


Takimi Hoti-Vuçiq në Bruksel
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

Takimi Hoti-Vuçiq në Bruksel

Në Bruksel ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se është shënuar progres në dialog.

Hoti përmendi dy tema që janë diskutuar gjatë bisedimeve: çështja e të pagjeturve dhe zhvillimi ekonomik.

“Ka qenë takim i vështirë. Qëndrimin tonë e kam prezentu në këtë takim dhe nuk do të lëviz asnjëherë nga ai qëndrim. Kjo është faza finale e përmbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë”, tha Hoti duke shtuar se i gjithë procesi do të marrë disa javë ose muaj, por jo më shumë.

“Jemi në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë”, tha Hoti.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçic tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin nuk kanë qenë të lehta. Ai theksoi se në këtë raund të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në Bruksel, është diskutuar për temën e personave të zhdukur dhe të zhvendosur brenda vendit si dhe ekonominë.

"Bisedimet për të zhdukurit dhe të zhvendosurit do të vazhdojnë të mërkurën tjetër në nivelin teknik", tha Vuçiq.

Vuçiq gjithashtu deklaroi se gjatë takimit, Kosova kërkoi që të hapen arkivat e policisë së Serbisë, dhe Serbia në anën tjetër ka kërkuar që Kosova të hapë arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm t'i përgjigjemi çdo kërkese të shqiptarëve. Kudo që ata mendojnë se mund të tregojnë në hartë një vend ku atyre u duket, ose ku mendojnë se është e mundur që të ketë ndonjë varrezë me shqiptarë, ne jemi të gatshëm së bashku me ta dhe me praninë e evropianëve të tregojmë nëse ka diçka apo jo. Por, ne kërkuam të njëjtën të drejtë për ne. Sepse deri më tani nuk kemi pasur qasje në Llapushnik, Gjakovë, Koshare dhe në disa lokacione të tjera", tha presidenti i Serbisë.

Lajçak: Takimi i rradhës i nivelit të lartë Kosovë-Serbi, në fillim të shtatorit

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi një raund të ri bisedimesh të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, në fillim të muajit shtator.

Ai tha se për këtë janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë bisedimeve që kanë pasur të enjten në Bruksel.

Lajçak, i cili e ka ndërmjetësuar dialogun, konfirmoi se bisedimet janë fokusuar në çështjen e personave të pagjetur dhe të zhvendosur si dhe zhvillimin ekonomik.

Ai tha se të dyja vendet duhet të punojnë ngushtë me Kryqin e Kuq Ndërkombëtarë për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur.

“Jam i kënaqur që pas prezantimit fillestar të qëndrimeve të dy liderët janë pajtuar që dialogu të vazhdojë në nivel të ekspertëve gjatë javës së ardhshme këtu në Bruksel”, tha Lajçak.

Ky ishte takimi i parë i drejtëpërdrejtë i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit, pas më se 20 muajsh.

Më parë, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të zhvillojnë një dialog në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit.

Komentet ai i bëri para fillimit të takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Pres diskutim konstruktiv që do t’i kontribonte normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet dy vendeve”, tha Borrell në adresimin e tij.

Borrell theksoi se i vjen mirë që BE-ja e ka rikthyer rolin udhëheqës të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës u mirëpritën në fillim në takime të ndara, nga kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Në fakt, dialogu virtualisht rifilloi më 12 korrik, ku palët biseduan përmes një video- konference, por takimi i së enjtes paraqet bisedimet e para të drejtpërdrejta pas 20 muajsh.

Ky, gjithashtu, është takimi i parë në të cilin nuk mori pjesë ish-bashkëbiseduesi kryesor i Brukselit nga Prishtina - presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Derisa bisedimet po zhvilloheshin në Bruksel, Thaçi po vazhdonte dëshminë para Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Kundër Thaçit, prokurorët kanë paraqitur një aktakuzë për shqyrtim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Pas katër ditësh, të enjten ka përfunduar intervistimi.

Pas njoftimit nga ana e prokurorëve se kanë paraqitur aktakuzën te një gjyqtar i procedurës paraprake, zyrtarët e BE-së e ndërprenë komunikimin me Thaçin dhe e kthyen vëmendjen e tyre te kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti e përfaqësoi Kosovën, në një seri takimesh të nivelit të lartë të organizuar javët e fundit.

Çfarë duhet të dini në lidhje me dialogun e Brukselit?

Dialogu në Bruksel filloi në mars të vitit 2011. Ideja ka qenë të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë.

Në tetor të vitit 2012, procesi kaloi në nivelin politik. Negociatat atëbotë u zhvilluan ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nga kryeministrat e atëhershëm, Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi.

Marrëveshja e parë në kuadër të këtij procesi u arrit ndërmjet dy kryeministrave, në prill të vitit 2013.

Më vonë, procesi u ngrit në negociata në nivel të presidentëve.

Kosovën e përfaqësonte presidenti Thaçi ndërsa Beogradin, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Derisa dialogu i Brukselit po zhvillohej, Serbia vazhdoi të udhëheqë një fushatë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe parandalimin e anëtarësimit të vendit në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Sipas zyrtarëve të Beogradit, 15 vende e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Pas shkak të mospranimit të Kosovës në UNESCO, në nëntor të vitit 2018, qeveria e atëhershme e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj vendosi një taksë 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina, duke e kushtëzuar tërheqjen e këtij vendimi me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit serb.

Ky vendim shkaktoi një ngërç në procesin e negociatave, sepse Beogradi zyrtar nuk pranoi të kthehej në Bruksel derisa të shfuqizohet vendimi për tarifat.

Pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti, i cili drejtoi Qeverinë e Kosovës për rreth një muaj e gjysmë, e shfuqizoi vendimin për taksat dhe e zëvendësoi atë me masa të reciprocitetit. Ky vendim nuk gjeti mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, e cila u kërkoi palëve të angazhohen për të krijuar një klimë pozitive për rifillimin e dialogut.

Qeveria e re e Kosovës, e formuar në qershor të këtij viti dhe e kryesuar nga Avdullah Hoti, e shfuqizoi vendimin për reciprocitetit në ditët e para të punës së saj, duke deklaruar se kështu u larguan pengesat në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Cilat janë rezultatet e procesit të Brukselit?

Gjatë negociatave në Bruksel janë arritur më shumë se 20 marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të gjitha buronin nga dialogu teknik. Asnjë marrëveshje e arritur në të ashtuquajturin dialog politik nuk etiketohet “e zbatuar".

Sidoqoftë, marrëveshjet kryesore mbeten marrëveshjet që mundësojnë integrimin institucional të veriut të mbizotëruar nga serbët në sistemin e Kosovës. Këto janë marrëveshje në lidhje me funksionimin e unifikuar të Gjyqësorit dhe Policisë.

Raporti i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) shënoi si “të zbatuara"Marrëveshjen për Vulat Doganore (e arritur më 2 shtator 2011), Marrëveshjen për mbledhjen e të ardhurave doganore (e arritur më 17 janar 2013), Marrëveshjen e ndërsjellë për njohjen polisave të sigurimit të automjeteve (e arritur më 25 qershor 2015), Marrëveshjen e Brukselitpër njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme të njohura me emrin ADR (arritur në 19 prill 2016).

Samiti virtual Kosovë-Serbi
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:48 0:00

Tema e shkëmbimit të territoreve

Në gusht të vitit 2018, presidentët e Serbisë dhe të Kosovës deklaruan se ata janë të gatshëm të diskutojnë për çështjen e shkëmbimit të territoreve në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjermania ishte ndër vendet e para që e kundërshtoi këtë ide, dhe në pranverën e vitit 2019, ajo filloi të ashtuquajturën nismë gjermano-frënge në mënyrë që të hiqte nga tryeza këtë ide.

Franca dhe Gjermania organizuan një samit në Berlin, nga i cili u prodhuan pak apo aspak rezultate, pasi palët nuk pranuan të lëvizin nga qëndrimet e tyre: Prishtina nuk hoqi dorë nga taksat dhe Beogradi nuk donte të negocionte ndërsa ishte në fuqi kjo masë.

Në tetor të po atij viti, presidenti amerikan, Donald Trump, emëroi Richard Grenellin si Përfaqësues të Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.

Cilat janë rezultatet e misionit të Grenellit?

Ai ndërmjetësoi arritjen e tri marrëveshjeve ekonomike, të cilat kishin të bënin me krijimin e një linje ajrore dhe hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe ndërtimin e një autostrade midis dy kryeqyteteve.

BE-ja u përjashtua plotësisht nga ky proces.

Grenell organizoi një takim të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë, i cili ishte paraparë të zhvillohej më 27 qershor, duke paralajmëruar arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Presidenti Hashim Thaçi ishte duke shkuar për në Uashington kur u konfirmua nga Haga se ai kishte një për shqyrtim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Njoftimi shkaktoi anulimin e takimit në Shtëpinë e Bardhë, duke e nxjerrë jashtë loje bashkëbiseduesin kryesor të Prishtinës.

Brukseli u vu në lëvizje dhe rimori rolin e tij në dialog.

Me gjithë paqëndrueshmërinë politike në Kosovë, të shkaktuar nga njoftimi i Prokurorisë Speciale kundër presidentit të Kosovës, BE-ja këmbënguli për vazhdimin e dialogun në Bruksel.

Më 10 korrik presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, organizuan një samit online me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu rifilloi zyrtarisht dy ditë më vonë.

Si Serbia, ashtu edhe Kosova, synojnë anëtarësimin në BE, dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve është një kusht kryesor për të dyja vendet në mënyrë që të përparojnë në procesin e integrimeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG