Qeveria e Kosovës, të dielën ka paralajmëruar ashpërsimin e masave për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID-19.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha në një konferencë për media të dielën se do te fillojë një zbatim shumë rigoroz i masave ekzistuese kundër përhapjes së koronavirusit.
“Ka një pajtueshmëri të ndërmarrjes së masave shtesë dhe rigorozitet të plotë në zbatimin e atyre masave dhe të përcjellim situatën në ditët dhe javët e ardhshme duke mos e përjashtuar fillimin e ndjekjes së procedurave kushtetuese për gjendje të jashtëzakonshme”, tha Hoti.
Hoti ka bërë të ditur se do të ndalohen tubimet publike dhe ritet fetare.
Në bazë të shifrave që po prezantohen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, gjendja me COVID-19, ka thënë Hoti, po rëndohet dhe se kapacitetet shëndetësore gati janë të limituara.
Ai tha se janë duke bërë përpjekje që të rrisin kapacitetet shëndetësore gjatë ditëve në vijim për shkak të numrit të madh të rasteve.
“Masat shtesë që do të propozohen sot në mbledhjen e qeverisë do të jenë më shumë rigoroze. Është e papranueshme që derisa vendimet e qeverisë janë në fuqi ndërkohë që inspektorati është në terren, policia, po ashtu organizohen ahengje dhe dasma nëpër qytete të ndryshme anë e mbarë Kosovës. Me këto veprime po rrezikojmë jetën e fëmijëve tanë dhe të prindërve tanë”, tha Hoti.
Ashpërsimi i masave për parandalimin e përhapjes së korinavirusit pason pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në tre javët e fundit.
Vetëm gjatë tre ditëve të fundit, në Kosovë janë shënuar 615 raste me COVID-19 pozitiv.
Ndërkaq, numri i përgjithshëm i të infektuarve deri të shtunën ka arritur në 4.715 nga 27.723 teste të bëra. Ndërsa janë shënuar 101 raste të vdekjeve.
Në spitalet publike në Kosovë është rritur edhe numri i të shtrirëve.
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar të dielën se në spitalet publike në Kosovë janë të shtrirë 301 pacientë të konfirmuar me COVID-19 pozitiv.
Prej tyre 190 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe 111 në spitalet e përgjithshme rajonale.
Nga ta, 123 me oksigjenoterapi në QKUK dhe 49 në spitalet e përgjithshme.
Masat e fundit për luftimin e COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi, kanë hyrë në fuqi më 6 korrik.
Që prej 6 korrikut, në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri është ndaluar lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 5:00.
Në këtë interval kohor e kanë të ndaluar të ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe bizneset e gastronomisë.