Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një njoftimi në Facebook të shtunën, tha se ka zhvilluar një takim virtual me kryetarët e komunave të Kosovës, për të vlerësuar gjendjen pas rritjes së numrit të të infektuarve dhe viktimave nga COVID-19.
Hoti tha se ka njoftuar kryetarët e komunave që me këtë trend të rritjes së numrit të rasteve të reja, duhet të konsiderohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve. Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar”, tha Hoti.
Hoti ka kërkuar një koordinim shumë më të ngushtë të inspektorateve për të mbikëqyrë zbatimin e masave, me mbështetje të policisë.
Të premten në mbrëmje Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar marrjen e masave të rrepta kundër përhapjes së koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Ndërkaq, tre persona kanë vdekur nga koronavirusi i ri gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 97.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se janë regjistruar edhe 205 raste të reja me koronavirus pas testimit të 388 mostrave.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 4.512, kurse numri i rasteve aktive është 2.259.