Ndërlidhjet

Temat etnike vetëm për fushatë elektorale në Maqedoninë e Veriut


Shkup - Fotografi nga arkivi.
Shkup - Fotografi nga arkivi.

Çështjet etnike kanë dominuar edhe gjatë kësaj fushate elektorale të partive politike për zgjedhjet e 15 korrikut, e cila përfundon të dielën në mesnatë. Dalja në fushatë e BDI-së, me premtimin se kryeministri i ardhshëm do të jetë shqiptar, është një nga temat që më së shumti ka nxitur reagimet e opinionit dhe të partive maqedonase, të cilat jo vetëm që e kanë kundërshtuar, por madje janë shprehur të gatshme të ndihmojnë njëra- tjetrën me deputet, në rast nevoje, vetëm që formimi i qeverisë të mos kushtëzohet nga BDI-ja.

“Jam i gatshëm që në bashkëpunim me deputetët tanë, t’i japim 13 deputetë VMRO DPMNE-së, pasi aq do t’i duhen për të formuar qeveri të pakicës, në rast se BDI-ja kushtëzon formimin e qeverisë me kërkesën për kryeministër shqiptar. Unë jam kandidat për kryeministër dhe do të jem kryeministër i ri”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Edhe kryetari i VMRO-së, i ka ofruar të njëjtën LSDM-së, por kreu i saj Hristijan Mickoski, ka thënë se partia e tij nuk do të ketë nevojë për shumë deputetë.

“VMRO DPMNE-së ndoshta nuk do t’i duhen më shumë se një apo dy deputetë. Ne do të kemi shumicën dhe nuk do të lejojmë asnjë kushtëzim nga partitë tjera. Dihet se kujt i takon kryeministri në këtë shtet”, ka deklaruar Mickoski.

Mickoski flet për kandidaturën e një shqiptari për kryeministër të Maqedonisë së Veriut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:35 0:00

Ai ka thënë se kryeministri i vendit gjithmonë ka qenë maqedonas dhe se kështu do të mbetet edhe pas zgjedhjeve më 15 korrik.

Bashkimi Demokratik për Integrim, ndërkohë, mbetet në qëndrimin se kryeministri i Maqedonisë së Veriut do të jetë shqiptar pasi, sipas këtij subjekti, këtë do ta vendosin votat e deputetëve shqiptarë.

“LSDM-ja dhe VMRO-ja janë kundër idesë për kryeministër shqiptar, por ju nuk mund të mohoni të drejtën e shqiptarëve për të pasur kryeministër shqiptar”, ka deklaruar Naser Zyberi, kandidat i BDI-së për kryeministër.

Ahmeti: Kandidati shqiptar për kryeministër është mbipartiak
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:51 0:00

Partitë, gjatë fushatës kanë debatuar edhe për çështje të tjera etnike, si për gjuhën shqipe, përfaqësimin e drejtë apo drejtimin e institucioneve tjera nga shqiptarët, simbolet kombëtare, e çështje tjera.

Por, njohësit e çështjeve ndëretnike thonë se temat e tilla etnike të partive politike, nuk kanë të bëjnë me asgjë tjetër, pos fushatës për të fituar pikë në zgjedhje.

Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike, thotë se situata të tilla ka pasur thuajse në të gjitha ciklet zgjedhore, madje edhe kërcënime për likuidime fizike, e forma tjera të kërcënimeve dhe fyerjeve në baza etnike.

“Tani nuk kemi kërcënime sikur në të kaluarën, por tensionet janë të pranishme, në veçanti pas daljes së BDI-së me kërkesën për kryeministër shqiptar dhe kundërshtimit të partive tjera maqedonase dhe në këtë kuadër kemi përplasje politike mes tyre, sikur edhe ajo që kjo parti, me kushtëzime të tilla nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re. Janë gjëra që dihen. Në fushatë zihen, ndërsa më pas bëhen bashkë, formojnë qeverinë dhe harrojnë gjithçka që kanë thënë për njëri-tjetrin”, shprehet Dimovski duke shtuar se një retorikë e tillë fare nuk ndikon në raportet ndëretnike në vend.

Ai konsideron se qytetarët, pavarësisht se cilit komunitet i takojnë, tashmë i kanë kuptuar, siç thotë, lojërat e partive politike, të cilat për të ardhur në pushtet nuk zgjedhin format e propagandës, përfshirë edhe raportet ndëretnike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG