Ndërlidhjet

SHBA-ja dhe BE-ja po e përcjellin me vëmendje situatën në Serbi


Protestat në Beograd.
Protestat në Beograd.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Serbi ka thënë se i dënon të gjitha format e dhunës, përfshirë ato “që duket se janë sulme të koordinuara ndaj policisë”, si dhe përdorimin e tepruar të forcës nga ana e organeve të sigurisë.

SHBA-ja po ndjek me vëmendje ngjarjet e dy ditëve të fundit në Beograd dhe qytetet tjera në Serbi dhe është thellësisht e shqetësuar me shfaqjen e dhunës, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane të postuar në rrjetin social Twitter.

"Shqetësimet dhe debatet për atë se si një vend mund t'i shpëtojë njerëzit e tij nga pandemia më vdekjeprurëse e kohës sonë - janë çështje serioze dhe duhet të jenë pjesë e një debati të qetë dhe të arsyeshëm në nivelin kombëtar", thuhet në reagimin e ambasadës.

Gjatë dy ditëve të fundit në Beograd dhe qytetet tjera të Serbisë janë zhvilluar protesta të dhunshme, përmes së cilave po kundërshtohet mundësia e shtrëngimit të masave kundër pandemisë së koronavirusit.

Protesta të dhunshme në Beograd
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:23 0:00

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën paralajmëroi se mund të vendoset orë policore, pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Menjëherë, qindra njerëz dolën në rrugë për të protestuar.

Por, më pas të mërkurën ai tha në një konferencë për media se qeveria serbe mbase do të vendosë që të mos ketë orë policore.

Protestat, Vuçiq i quajti politike, dhe se sipas tij, ato nuk kanë lidhje me koronavirusin.

BE: Trazirat dhe vazhdimi i dialogut nuk ndërlidhen

Edhe Bashkimi Evropian ka thënë se po i ndjek më vëmendje të madhe zhvillimet në Serbi.

Ana Pisonero, zëdhënëse e BE-së, theksoi se u takon autoriteteve të secilit vend që të merren me vlerësimet e rrezikut të pandemisë.

Ajo deklaroi se tubimet janë një e drejtë demokratike dhe themelore.

Sipas zyrtarëve të BE-së, trazirat në Serbi nuk do të ndikojnë në agjendën e vendosur të dialogut Kosovë-Serbi, sepse këto dy gjëra nuk "janë të lidhura".

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të mërkurën tha se protestat synojnë të dobësojnë pozicionin e Serbisë para vazhdimit të bisedimeve me Kosovën të ndërmjetësuara nga Bashkimit Evropian.

Ai të enjten ka udhëtuar në Paris, ku do të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron, me të cilin do të diskutojë për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Më 10 korrik është paraparë një video-samit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilin e kanë organizuar presidenti Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë më 12 korrik pritet të takohen në Buksel, ngjarje kjo që do të shënojë edhe rifillimin e dialogut ndërmjet dy vendeve, i ndërprerë në fund të vitit 2018.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG