Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës nuk e miraton nismën ligjore për luftimin e pandemisë


Qeveria e Kosovës.
Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës nuk e ka miratuar nismën ligjore të Kuvendit të Kosovës për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj tha se qeveria vlerëson se çështjet të cilat synon t’i adresojë kjo nismë legjislative do të përfshihen në kuadër të një projektligji për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë së COVID-19, i cili shumë shpejtë do të finalizohet nga Ministria e Financave dhe pas miratimit në qeveri, do t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim.

Nisma që Kosova të ketë një ligj për luftimin e pandemisë ka qenë e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Ky projektligj për pandeminë është i bazuar në nenin 65, pika 1, të Kushtetutës së Kosovës, që ua lejon deputetëve inicimin e nismave legjislative.

Sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës, Qeveria e Kosovës kishte afat që deri në fund të kësaj jave, të japë opinionin për nismën e Osmanit.

Më 7 korrik, Artan Murati, këshilltar ligjor i kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, i tha Radios Evropa e Lirë se në situatën në të cilën po kalon Kosova me rritjen e numrit të vdekjeve dhe infektimeve nga koronavirusi, Projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, është më se i domosdoshëm.

Qeveria miraton Planin e Veprimit për rritjen e numrit të testimeve

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është miratuar Plani i Veprimit për testimin e qytetarëve për sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, tha se plani do të marrë në konsideratë edhe strategjitë e reja të testimeve bazuar në udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

“Me rritjen e mbulueshmërisë së testimit të popullatës për COVID-19 do të arrihet të krijohet një pasqyrë shumë më reale e përhapjes së virusit”, tha Zemaj.

Më 8 korrik, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, për Radion Evropa e Lirë, bëri të ditura më shumë detaje të Plani të Veprimit.

‘’Si objektiva specifike janë aplikimi i testeve virologjike, serologjike dhe në kuadër të tyre edhe ato rapide. Sa i përket aplikimit të testeve virologjike është paraparë që procesi i testimeve të decentralizohet dhe përpos IKSHPK-së, teste të kryejnë edhe qendrat rajonale të shëndetit publik që janë nën autoritetin e IKSHPK-së”, ka thënë Hoti.

Njëra nga masat e reja të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e pandemisë COVID-19 është “licencimi i institucioneve private shëndetësore për të kryer testime për COVID-19, është në përputhje me ligjet në fuqi”.

Por, sipas Faik Hotit, klinikat private do të mund të bëjnë vetëm teste serologjike. Testet serologjike, janë ato teste në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin dhe bëhet përmes mostrave të gjakut.

Më 8 korrik, në Kosovë janë shënuar edhe katër viktima nga koronavirusi i ri.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar të mërkurën se numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 86. Një ditë më herët ky numër ka qenë 82.

Sipas njoftimit, nga 413 testime të kryera, janë regjistruar edhe 214 raste me koronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 4.100.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG